Kosova

Rruga nacionale Prishtinë-Mitrovicë merr emrin e tre heronjve

Ky vendim është marrë të enjten, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, në shenjë nderimi për këta tre heronj që në vitin 1997 kanë rënë pikërisht në një pikë të këtij segmenti rrugor

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim familjarët e Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu. Haradinaj u ka dorëzuar familjarëve nga një kopje të vendimit të Qeverisë që rruga Prishtinë – Mitrovicë të marrë emrin e këtyre heronjve, transmeton albinfo.ch.

“Rruga e tre heronjve, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha”, do të jetë emërtimi i auto-rrugës Prishtinë – Mitrovicë, vendim ky i Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe nismë kjo e Kryeparlamentarit Kadri Veseli, në 21 vjetorin e rënies së tyre për lirinë e vendit.

Ky vendim është marrë të enjten, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, në shenjë nderimi për këta tre heronj që në vitin 1997 kanë rënë pikërisht në një pikë të këtij segmenti rrugor.

Gjatë takimit kryeministri Haradinaj, vlerësoi lartë kontributin dhe luftën e lavdishme për liri të Zahirit, Edmondit e Hakifit, duke thënë se sakrificën e tyre sublime trasuan rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë të shtetit tonë. Ndërkaq, familjarët e heronjve Pajaziti, Hoxha e Zejnullahu, falënderuan kryeministrin Haradinaj për vendimin e marrë në Qeveri.