Integrimi
Rruga e mundimshme deri te “Pasaporta e kuqe”
Krahas ligjit “kokëfortë”, janë edhe praktikat arbitrare në disa komuna që natyralizimin e të huajve e bëjnë shpesh pothuajse “mision të pamundur”
Zvicra, vendi i demokracisë së drejtpërdrejtë njihet gjithashtu si një ndër vendet me praktikën më restriktive të natyralizimit të të huajve. Dhe kjo, në shtetin në të cilin 39% e popullatës së përhershme të moshës mbi 15 vjeçare ka sfond migracioni.
Ndryshimi i praktikës së natyralizimit, ose siç njihet në gjuhën popullore “marrjes së pasaportës” që ka ndodhur në vitin 2018, i prezantuar si lehtësim në fakt nuk ka sjellë ndonjë ndryshim përmbajtjesor në këtë drejtim. Deri në vitin e përmendur, për të pasur të drejtë ligjore për të aplikuar për natyralizim nevojiteshin 12 vite qëndrimi në Zvicër dhe disa kushte të tjera që lidhen me banimin në një komunë, në një kanton etj. Me ndryshimin nga viti 2018, vërtet u shkurtua koha e të drejtës për aplikim nga 12 në 10 vjet por në të njëjtën kohë u ashpërsuan kriteret tjera. Kështu, nëse më parë, me 12 vite qëndrim në Zvicër mund të aplikoje pavarësisht statusit të qëndrimit, sot, me afatin “e shkurtuar” prej 10 vitesh, mund të aplikosh vetëm nëse ke Lejen e qëndrimit të përhershëm në vend gjegjësisht “Vizën C”.
Në këto rrethana, çështja e natyralizimit në Zvicër vazhdon të mbetet temë “e nxehtë” në debatet e këtushme politike, kryesisht në mes të të djathtës dhe të majtës. Ndërsa e majta angazhohet prej kohësh uljen e barrierave për pasaportën e lakmuar “të kuqe”, duke kërkuar edhe “natyralizimin me lindje” ose, të paktën, natyralizimin automatik të brezit të dytë të të huajve, e djathta reziston, duke e konsideruar natyralizimin “meritë dhe jo dhuratë” që u jepet.
Iniciativa federale e Arbër Bullakajt për heqjen e afatit 10 vjeçar të pritjes
Arbër Bullakaj
Kur ligjit “kokëfortë” të natyralizimit t`i shtojmë edhe praktikat shumë konservatore dhe herë herë arbitrare që udhëhiqen në disa kantone dhe komuna (kryesisht të Zvicrës lindore) bëhet e qartë përse “thyhen shtizat” në këtë debat.
Për këtë arsye nuk pushojnë nismat nga më të ndryshmet për t`i hequr ose zbutur barrierat e të dy llojeve.
Ndër nismat në fjalë është edhe nisma në nivel federal e ndërmarrë pak muaj më parë nga Arbër Bullakaj politikan shqiptarozviceran i PS-së së Kantonit St. Gallen. Iniciativa të cilën ai e ka nisur në kuadrin e organizatës që drejton “Aktion Vierviertel” (Aksioni katër të katërtat), veç tjerash kërkon: heqjen e plotë të afatit pritës prej dhjetë vitesh dhe eliminimin e vendimeve arbitrare me rastin e natyralizimit.
Synimi i nismës është plotësimi i mozaikut të demokracisë zvicerane, të cilës i mungon (të paktën) një e katërta, për të qenë e plotë ose “katër të katërtat”.
Para kësaj, ka pasur edhe nisma të tjera, popullore e parlamentare në këtë drejtim por sukseset e tyre kanë qenë të kufizuara për të mos thënë nuk ka pasur fare.
Mërgimi dhe “faji” i tij që nuk i di emrat e kafeneve të fshatit
Mërgim Ahmeti
Në kushte të tilla, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shpeshta raportimet në media për situata groteske nga zyrat e natyralizimit, gjegjësisht të intervistave për natyralizim. Me gjithë absurditetin e tyre disa raste këto situata nuk kanë qenë aspak “të lezetshme” për ata, në kurriz të të cilëve janë përplasur situatat e tilla. Kështu, para pak vitesh rasti i shqiptarit me prejardhje nga Kosova, Mërgim Ahmeti, i lindur dhe banor në komunën Oberriet në Kantonin e St. Gallenit ishte bërë “hit” në mediat zvicerane për pyetjet nga më absurdet që i ishin bërë nga komisioni natyralizues. Dhe, sikur të mos ishte i dhembshëm refuzimi i pasaportës zvicerane për Mërgimin, këto pyetje ishin vërtet qesharake. Kështu, atij i është refuzuar pasaporta zvicerane për shkakun se nuk i kishte ditur emrat e disa kafeneve të fshatit. I ngjashëm ishte edhe rasti i një juristeje me rrënjë shqiptare në Hochdorf të Luzernit. Asaj i ishin bërë pyetje për festat lokale që shkaktojnë bllokimin e rrugëve në fshat, për gjellërat tipike të atjeshme dhe të tjera si këto.
Pyetjet denigruese për Artinën
Ndërsa rasti më i freskët është ai me Artina Ahmetin, motrën e Mërgim Ahmetit, po në Oberriet, me pyetjet denigruese nga i njëjti kryetar komisioni, gjegjësisht kryetar komune (R. H.). Ndër pyetjet që i janë bërë Artinës ka qenë pyetja “kapcioze” sugjestionuese se “çfarë do të bënte sikur babai t`i sillte në shtëpi një burrë të panjohur, për tu martuar me të”. “Unë u përgjigja se do të refuzoja të martohesha me të. R. H. pyeti më tutje: “A do të ishit vërtet kaq arrogante sa të refuzonit kërkesën e babait ?”.
Pas kësaj Artina thotë se ishte shumë e dëshpëruar. Ajo tashmë po nuhaste atë që do të pasonte më vonë: refuzimin e dytë nga komuna e Oberriet. “Vullneti i saj për t’u integruar ende nuk është qartë i identifikueshëm”, ishte përgjigja negative. Më vonë, sidoqoftë, gjykata e kantonit ka detyruar komunën të bëjë natyralizimin e saj. Por shija e hidhur ka mbetur ndërsa praktika që ndjekin institucionet në këtë drejtim po ashtu mbetet restriktive
Kështu, javë më parë Komisioni Politik Shtetëror i Dhomës së Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës (SPK-S) ka vendosur të mos përshtatë rregullat për natyralizim më të lehtë të të huajve të gjeneratës së tretë. Sipas komisionit, tani, kur kanë kaluar vetëm katër vjet pas hyrjes në fuqi të rregulloreve të reja, ende mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata.
A do te ketë rishikim?
Në vitin 2017, populli zviceran pati vendosur në kutinë e votimit që të huajt e mirëintegruar duhet të jenë në gjendje të natyralizohen më lehtë. Këto ndryshime hynë në fuqi në vitin 2018. Pas kësaj, megjithatë, u bë e qartë se numri i natyralizimeve të këtyre personave nuk u rrit aq sa pritej, transmeton albinfo.ch. Meqë të huajt e gjeneratës së tretë ende përballen me shumë pengesa burokratike, Komisioni Politik Shtetëror i Dhomës Nacionale paraqiti nismën e tij parlamentare në fillim të vitit 2022 duke ju referuar këtyre numrave. Nëse nuk bëhet asgjë, do të duhen më shumë se tridhjetë vjet që gjenerata e tretë e të huajve të natyralizohet lehtësisht në Zvicër, përcjell albinfo.ch. Prandaj, sipas komisionit në fjalë nevojitet një rishikim i Ligjit për të Drejtat Civile.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve