Integrimi

“Rruga e mbarë“, koncert për mërgatën në Gjilan

„Mërgata jonë është një vlerë shumë e madhe kombëtare dhe pjesë e bardhë e shoqërisë sonë dhe e përfaqësimit në fusha të ndryshme në botën e jashtme“, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri

Në qytetin e Gjilanit, Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës kanë organizuar koncertin “Rruga e mbarë”, për mërgatën e kësaj anë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit e që numri i tyre është shumë i madh nga ky regjion.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka thënë se ky organizim i kësaj fundjave është bërë pas takimit me ministrin Makolli disa javë më parë ku edhe jemi dakorduar që ky koncert të jetë në fundin e muajit gusht.

“Bashkë me ministrin e Diasporës është organizuar një koncert për mërgatën, duke u dëshiruar atyre një rrugë të mbarë për në shtetet ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh familjarët tanë. Mërgata jonë është një vlerë shumë e madhe kombëtare dhe pjesë e bardhë e shoqërisë sonë dhe e përfaqësimit në fusha të ndryshme në botën e jashtme“, ka thënë ndër të tjerash kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, transmetojnë mediat lokale në Gjilan.

Sipas kreut të komunës Gjilani ka organizuar këtë koncert, sepse e ka edhe obligim në një formë, kur dihet se numri më i madh i diasporës është pikërisht nga kjo anë.

Koncerti ka qenë i ndarë në dy pjesë: koncertin për fëmijë dhe koncertin për të rritur, në të cilin kanë marrë pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.