Kuriozitete

Rrjedh në internet data e lansimit të iPhone 16

Adhuruesit e Appleit nuk do të duhet të presin gjatë deri në lansimin e pajisjes më të re – iPhone 16. Gjiganti amerikan raportohet se do ta shpalosë gjeneratën më të re të telefonëve në një ngjarje që do të organizohet më 10 shtator.

Detajet janë bërë të ditura nga disa llogari të njohura në rrjete sociale për rrjedhje të detajeve nga Apple. Siç kanë bërë të ditur këto llogari në “X”, Apple tashmë u ka shpërndarë njerëzve ftesat për ngjarjen e organizuar. 

Ngjyra në logon e Appleit në ftesë sinjalizon se mund të ketë ngjyrë bronzi në telefonin e ri.

Deri tash nuk ka pasur shumë detaje për telefonin e ri, por raportohet se do të vijnë katër modele – iPhone 16, iPhone 16 Plus, iPhone 16 Pro dhe iPhone 16 Pro Max. Risi pritet të jetë përfshirja e inteligjencës së Appleit në të gjithë telefonat dhe ka pasur raportime për disa butonë specialë.