Turizëm

Rritje e turizmit në Kosovë

Kosova me një sipërfaqe prej mbi 10 mijë kilometrash katrorë, posedon 1 mijë vende, të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar

Republika e Kosovës ka burime të mjaftueshme për zhvillimin e disa llojeve të turizmit, të cilat mund të shfrytëzohen si vende atraktive për turistët, si vendorë, ashtu edhe ata ndërkombëtarë, thonë njohës të kësaj fushe.

Kohëve të fundit është vërejtur një trend më i madh i turistëve urbanë që vizitojnë qytete të ndryshme të Kosovës, por kjo ndodh me angazhimin dhe promovimin e agjencive private turistike dhe jo nga promovimi që bëjnë autoritetet kompetente, raporton “Evropa e Lirë”.

Kosova me një sipërfaqe prej mbi 10 mijë kilometrash katrorë, posedon 1 mijë vende, të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar, përcjell albinfo.ch.

Zekë Çeku, ekspert i fushës së turizmit dhe udhëheqës i Shoqatës së Turizmit në Kosovë është shprehur se është vërejtur një rritje e numrit të turistëve, sidomos e alpinistëve nga Shqipëria, Turqia, Franca dhe vendeve tjera rajonale që kalojnë nëpër Kosovë.

Sipas tij, përfshirja e Kosovës në projektin e turizmit në natyre “Via Dinarica”, ka ndikuar shumë në lëvizjen e turistëve të huaj.

“Via Dinarica” është platformë, e cila shërben për të promovuar trashëgiminë kulturore dhe për zhvillimin e shumë sektorëve të turizmit, qoftë në nivel vendi apo ndërkombëtar.

Rajoni qendror turistik i Prishtinës, ai i Alpeve Shqiptare, rajoni turistik i Sharrit, i Mitrovicës dhe ai i Anamoravës, konsiderohen si pesë rajonet kryesore turistike në Kosovë.

 

Në bazë të statistikave të hotelerisë, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se në vitin 2016, numri i vizitorëve ka qenë rreth 200 mijë, prej të cilëve, 131 mijë kanë qenë vizitorë të jashtëm, kurse mbi 62 mijë vizitorë vendorë.