Kosova

Rritja e pagave në Kosovë, çfarë ndikimi do të ketë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën bëri të ditur se Qeveria do t'i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave nga janari i vitit të ardhshëm, është hap i duhur për Blendi Hasajn, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara, GAP, në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën bëri të ditur se Qeveria do t’i rrisë pagat në sektorin publik për 55 euro nga janari i vitit 2025.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasaj përmend argumentet ekonomike, sipas të cilave është dashur të merret një vendim i tillë, por nuk e mohon faktin se kjo mund të përdoret edhe si fushatë parazgjedhore, transmeton albinfo.ch.

Hasaj, gjithashtu, thekson rrezikun që sektori privat të bëhet më pak tërheqës, dhe të punësuarit në këtë sektor të ballafaqohen me paga dhe kushte më të vështira në punë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria ka vendosur t’i rrisë pagat në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm. Sa jeni të kënaqur me mënyrën e rritjes së pagës, rritjen e koeficientit për njësi. Kush do të përfitojë më shumë?

Blendi Hasaj: Ky hap i Qeverisë për rritjen e pagave, nëse e shohim nga aspekti kohor gjatë këtij viti, ky është ai moment kur ndryshohen pagat, pasi deri më 31 tetor ekzekutivi duhet ta dërgojë projektbuxhetin për vitin tjetër në Kuvend. Dhe, është e paraparë që në Ligjin për buxhetin të jetë edhe vlera e koeficientit të pagave. Pra, ka qenë e pritur që këto ditë Qeveria të bëjë njoftimin se a dëshiron t’i rrisë pagat në sektorin publik apo jo.

Në anën tjetër, marrë parasysh se kjo korrespondon në një periudhë që shumë shpejt do të kemi edhe zgjedhjet e përgjithshme, pastaj një interpretim tjetër mund të jetë që nuk është koha adekuate që të rriten pagat në sektorin publik, për shkak të ndikimit që ajo mund të ketë, se si shërbyesit civilë mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Por, kemi edhe argumentin se Kosova, sikurse vendet e rajonit, por edhe në shtetet tjera është përballur me një normë të theksuar të inflacionit apo të rritjes së çmimeve, që, vërtet, ka ndikuar në shportën e konsumatorit.

Rritjen të cilën e ka propozuar Qeveria, nuk nënkupton rritje e vlerës së shumës financiare, por ndryshimin e koeficienteve, varësisht nga pozita. Interpretimi i parë është se Qeveria dëshiron të ketë një barazi në rritje, pra të gjithëve u rritet paga për shumën e njëjtë (55euro) .

Çka nënkupton kjo?

Nëse do të rritej vlera e koeficientit, me këtë vendim të Qeverisë do të përfitonin më shumë ata punonjës në sektorin publik që kanë paga më të mëdha.

Pra, nëse do ishte rritur vlera e koeficientit, nga 110 euro për shembull të themi në 120 euro, normalisht se përfitimi do të ishte për ata që kanë koeficient më të lartë.

Mirëpo, rritja fillestare që do të bëhet për 0.5 njësi në gjashtëmujorin e parë, nënkupton një rritje uniforme për të gjithë punonjësit.

Radio Evropa e Lirë: Rritja e pagave në sektorin publik a po e bën më tërheqës këtë sektor për punëkërkuesit, dhe a ndikon kjo që ata të hezitojnë të punojnë në sektorin privat?

Blendi Hasaj: Sektori që ndikon në rritjen ekonomike, pra punonjësit e sektorit privat, po mbesin në një anë. Derisa në sektorin publik po rritet paga mesatare në nivelet 700 -750 euro, ne përballemi me një sektor privat në të cilin pagat janë më të ulëta, mirëpo edhe kushtet e punës janë më të vështira.

Kjo, në aspektin ekonomik, dërgon një sinjal jo të mirë, sepse pritjet janë që ky sektor po bëhet më tërheqës për qytetarët, sepse, përveç kontratës së përhershme, sigurisë në vendin e punës, respektimin e kontratës, kanë edhe paga më të larta.

E, në anën tjetër, mbi 300 mijë punonjës në sektorin privat po mbesin pa kujdesin e askujt.

Kështu që, sektori publik do të bëhet edhe më tërheqës për të rinjtë. Pastaj, normalisht një ndikim tjetër është që për shkak të mundësive të kufizuara për punësim në këtë sektor dhe trajtimit jo të barabartë nga sektori privat, te disa të rinj kjo i rritë prirjet për të emigruar.

Disa biznese në Prishtinë, kanë të vendosura shpallje nëpërmjet së cilave kërkojnë punëtorë.

Radio Evropa e Lirë: Përveç vendimit për rritjen e pagave në sektorin publik, në fillim të këtij muaji Qeveria i ka rritur edhe pensionet. A mund të ketë ndikim te votuesit, pasi në muajin shkurt janë zgjedhjet parlamentare?

Blendi Hasaj: Jemi në një moment ku i kemi disa faktorë, që në një farë forme pamundësojnë të bëhet një përfundim më i saktë, që lëvizjet e Qeverisë janë tërësisht politike apo janë tërësisht të argumentuara nga situata ekonomike.

Sikurse, mos të kishim, të themi, një situatë në ekonomi, ku e kemi një rritje të ndjeshme të çmimeve në dy tre vjetët e fundit, normalisht se ato kanë filluar të stabilizohen. Këtë vit nuk ka vazhduar ajo tendenca që të rriten çmimet edhe më tej, por ka mbetur ai niveli i vitit 2023.

Dhe, mos ta kishim këtë situatë dhe Qeveria të ndërhyjë dhe t’i rrisë edhe pensionet edhe pagat siç po bën tani, do të ishte vërtet një reflektim i asaj se Qeveria po e bënë këtë pothuajse qartazi për të ndikuar që këta qytetarë që përfitojnë, të votojnë për të.

Mirëpo, duke marrë parasysh faktorët që përmenda, nuk besoj se e ka të lehtë ndonjë ekonomist apo analist i politikave ekonomike të mos e arsyetojë në këtë kohë rritjen e pensioneve, rritjen e pagave – sepse të gjithë e kemi të qartë koston që iu ka shkaktuar qytetarëve në shportën e konsumit.