Kosova

Rritet transparenca dhe llogaridhënia në ndarjen e subvencioneve nga komunat

Në vitin 2016, organizata zvicerane HELVETAS Swiss Intercooperation, projekti për Decentralizim dhe përkrahje të komunave (DEMOS), i financuar nga Zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë ka përkrahur pesë komuna partnere në implementimin e rregullores së re për ndarjen e subvencioneve, e cila ka ndikuar në rritje të transparencës dhe llogaridhënies në ndarjen e subvencioneve në komuna.

Subvencionimi i bizneseve dhe individëve në Kosovë nga ana e komunave ka ndikuar pozitivisht në rritjen e ekonomive familjare, e veçmas në rritjen e prodhimit vendor nga ana e bujqve. Megjithatë, në shumë raste subvencionimet janë bërë me rregullore të vjetra të cilat nuk kanë ofruar transparencë të mjaftueshme në ndarjen e parasë publike.

Në vitin 2016, projekti Decentralizim dhe përkrahje të komunave, (DEMOS), i financuar nga Zyra zvicerane për bashkëpunim në Kosovë ka përkrahur pesë komuna partnere në implementimin e një rregulloreje të re e cila do të garantonte më shumë transparencë në ndarjen e subvencioneve. Pesë nga 17 komunat partnere të DEMOS kanë përgatitur dhe miratuar në kuvende komunale rregulloren e re për subvencione në vitin 2016 dhe kanë filluar implementimin e saj në vitin 2017.

Krahas rregullores së DEMOS-it për komunat në vitin 2017, Ministria e Financave u ka ofruar komunave edhe një rregullore për subvencione, e cila rregullon subvencionimin mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, por që nuk bie në kundërshtim me fushat e tjera që i trajton rregullorja e DEMOS-it.

Drejtori i Financave në Komunën e Kaçanikut, Bahri Selimi, ka deklaruar se më parë subvencionet i janë ndarë organizatave dhe individëve në bazë të kërkesave të kohë pas kohshme që kanë ardhur në komunë, ndërsa tani subvencionet ndahen vetëm pasi të bëhen shpalljet publike.

“Subvencionet edhe ashtu nuk kërkojnë procedura të prokurimit, mirëpo kjo rregullore ka sjellur disa procedura të reja. Risia e tyre është që kur financojmë programe të ndryshme, kjo bëhet me ftesa apo thirrje publike. Më parë procedurat kanë qenë tjera. Kushdo që ka qenë i interesuar për subvencionim, ka paraqitë kërkesën dhe ne më pastaj kemi vendosur për formën e financimit të atij projekti. Tani këtë e bëjmë me thirrje publike, që ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në aspektin e shpërndarjes dhe shpenzimit të parasë publike”, është shprehur Selimi.

Sipas Selimit, gjatë vitit 2017, Komuna e Kaçanikut ka ndarë gjithsej 207,000 euro subvencione bazuar në procedurat e parapara me rregullore të re. Ndërkaq, komunat e tjera partnere të DEMOS-it, si ajo e Vitisë e cila po ashtu ka implementuar këtë rregullore gjatë vitit 2017, ka subvencionuar kategori të ndryshme me gjithsej 197,600 euro.

Krahas rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, tashmë edhe përfituesit e këtyre subvencioneve e kanë më të qartë dhe më të lehtë formën e aplikimit, raportimit, por edhe ankesave në rast të ndonjë pakënaqësie. Kjo është arritur përmes formave të standardizuara të aplikimit, vlerësimit më transparent të aplikacioneve, ankimimit të vendimeve për ndarjen e subvencioneve dhe raportimit të shpenzimeve. Në rast të ndonjë ankese nga aplikuesit, komuna përkatëse tani është e obliguar që të krijojë komisionin me përbërje krejt tjetër nga komisioni i vlerësimit të aplikacioneve, për të rishikuar vendimin.

Rregullorja e re kërkon më shumë respektim të procedurave, përgatitje të aplikacioneve dhe buxhetit për aplikim, raportim, etj, që fillimisht nga përfituesit ishte konsideruar si ngarkesë duke pasur parasysh mundësitë e kufizuara të disa kategorive të përfituesëve për të përgatitur aplikacionet, buxhetin apo raportet. Por kjo nuk ka paraqitur problem sipas drejtorit të financave në Komunën e Vitisë, Ibrahim Rama.

“Kemi filluar implementimin e kësaj rregulloreje të re që nga fillimi i këtij viti dhe mund të them që kjo ka ndikuar në masë të madhe në rritjen e transparencës. Në krahasim me rregulloren e kaluar që e kemi pasur, kjo rregullore parasheh që përfituesit të raportojnë për shpenzimin e parasë publike në mënyrë më transparente dhe kjo mundësohet falë formave të standardizuara të raportimit të shpenzimeve”, është shprehur ai.

Rregullorja e re që është miratuar nga kuvendet komunale në vitin 2016 është ligjërisht obligative për pesë komunat partnere, prandaj, mjetet financiare të buxhetuara dhe të destinuara për subvencione në kodin “subvencionet dhe transferet” janë shpenzuar në bazë të rregullores së re.

Nga fillimi i vitit 2018, kjo rregullore parashihet të implementohet edhe në komunat tjera të Kosovës.