Maqedonia

Rritet rroga në Maqedoni

130 mijë punëtorë në Maqedoni do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale, që tani 200 euro

Paga minimale në Maqedoni nga muaji i ardhshëm do të jetë 12 mijë denarë apo rreth 200 euro (195.47), shkruajnë mediat vendase.

Kështu është bërë e ditur në konferencën e sotme për shtyp nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, përcjell albinfo.ch.

“Paga minimale nga muaji i ardhshëm do të arrijë 12.000 denarë, ndërsa firmat do të mbështeten financiarisht nga shtetit. Beneficionin nga rritja e pagave do ta ndjejnë 130 mijë punëtorë në Maqedoni. Ky është hapi i parë konkret me të cilin hapet spiralja për rritjen e përgjithshme të pagave në Maqedoni që do të kontribuojë për standard më cilësor të jetës”, është shprehur Carovska.

Ndërkohë, në Kuvendin e Maqedonisë u soll edhe Ligji për punëtorët e falimentuar, me të cilin përgjithmonë zgjidhet statusi i më shumë se 3.000 punëtorëve të falimentuar. “Me punë të organizuar dhe të përgjegjshme të Qeverisë, përmes ribalancit të Buxhetit shkurtohet nga komoditeti i pushtetit dhe shpenzimet joproduktive të Qeverisë dhe shumë mjete orientohen për zgjidhjen e problemit të më shumë se 3.000 të falimentuarve në Maqedoni. Kompensimin mujor financiar që do ta marrin të falimentuarit do të jetë rreth 7.596 denarë (123 euro)”, deklaroi Carovska.