Shqipëria

Rriten çmimet e hoteleve në Shqipëri

Çmimet në hotelet e jugut këtë sezon janë nga 25 euro, çmimi më i ulët, deri në 180 euro nata

Rreth 4% ka qenë rritja e çmimeve në hotelet në Shqipëri përgjatë bregdetit në jug në këtë sezon veror.

Sipas kreut të Shoqatës Hoteleri-Turizëm, Zak Topuzi, kjo rritje është bërë në saj të një cilësie më të lartë  shërbimi krahasuar me vitet e tjera, por  edhe të kërkesës së lartë. Topuzi shtoi për televizionin SCAN se rritja e çmimeve mbetet më e vogël krahasuar me atë që kanë bërë vendet e rajonit, të cilat janë mbi 5%, përcjell albinfo.ch.

Në një vëzhgim të bërë në adresat on-line, siç është dhe ajo “booking.com”, rezulton se çmimet në hotelet e jugut në këtë sezon janë nga 25 euro nata, çmimi më i ulët, deri në 180 euro nata.

Të kontaktuar nga SCAN, menaxherë të disa prej hoteleve pohojnë se kanë rritur çmimet, ndërsa të tjerë kanë preferuar të mos i ndryshojnë ato,  ndërkohë që ajo që vihet re është se këtë vit ka pasur më shumë turistë nga vendet e Lindjes, ndryshe nga një vit më parë, ku dominonin ata nga Kosova.

Sipas kreut të Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, ka ndodhur një shtresëzim i turistëve, ku më të pasurit kanë zgjedhur jugun.

Ndërkohë risi për këtë vit ka qenë zgjatja në kohë e kontratave, deri në 160 ditë nga 140 që kanë qenë në 2017-ën.