Shqipëria

Rriten të ardhurat e bashkatdhetarëve në Shqipëri

Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në vitin 2017, të ardhurat nga emigrantët u rritën me 3.4%, duke arritur në 636 milionë euro. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2012

Të ardhurat që emigrantët sjellin në shtëpi i janë rikthyer trendit të tyre rritës, ndonëse të lehtë.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në vitin 2017, të ardhurat nga emigrantët u rritën me 3.4%, duke arritur në 636 milionë euro. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2012.

Që nga viti 2008, kur arritën kulmin në rreth 830 milionë euro, paratë që emigrantët dërgonin në Shqipëri filluan të binin gradualisht, për të arritur në nivelin më të ulët në 2013-n, me 545 milionë euro.

Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se nga viti 2013 deri më sot, numri i azilkërkueseve për herë të parë nga Shqipëria në vendet e Bashkimit Europian është 140 mijë 197 persona, apo rreth 5% e popullsisë shqiptare që ka kërkuar azil, shkruan ‘monitor’.

Numri më i lartë i tyre ishte në vitin 2015, me 66 mijë aplikime, për të rënë më pas në 29 mijë në 2016n dhe 22 mijë në 2017-n. Ndonëse një pjesë e tyre kthehen, shumica mbeten, dhe teksa integrohen në tregun e punës, fillojnë e dërgojnë më pas para tek të afërmit, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat nga INSTAT, për hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, tregojnë se numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit nga pikat e kalimit kufitar është shumë më i lartë se kthimet e tyre në këto pika.

Diferenca ndërmjet hyrje-daljeve tregon se një numër i madh shtetasish shqiptarë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer më.

Diferenca e shqiptarëve të pakthyer është 273 mijë persona dhe ka vijuar të thellohet gjatë vitit 2015, kur vendi u përball me një fluks jo të zakontë ikjesh jashtë vendit kryesisht për azil ekonomik. Diferenca mes hyrjeve dhe daljeve u thellua në vitin 2015, me mbi 405 mijë persona. Flukset e emigracionit u zbutën disi më 2016, teksa diferenca mes hyrje-daljeve ishte 259 mijë persona, por në 2017-n u rrit sërish në 373 mijë persona.