Lajme

Rriten pagat për punonjësit e sektorit publik të Zvicrës

Mesatarisht, një punë me kohë të plotë në qeveri ishte 26% më mirë e paguar sesa një punë me kohë të plotë në sektorin privat në Zvicër në vitin 2020

Më 2 dhjetor 2022 Këshilli Federal i Zvicrës ra dakord të rrisë pagat e atyre që punojnë për Qeverinë federale me 2.5% në 2023-ën.

Inflacioni, i cili ishte 3% në fund të nëntorit 2022, ka nxitur kërkesat për paga më të larta.

Gjatë negociatave, përfaqësuesit e stafit kërkuan një marrëveshje pagash që kompensonte plotësisht inflacionin. Megjithatë, ministri i Financave, Ueli Maurer, vuri në dukje se buxheti tashmë negativ i Zvicrës duhet të merret parasysh kur vendoset për rritjen e pagave dhe se kompensimi i plotë për inflacionin nuk ishte i mundur, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Rritja e pagave rrezikon gjithashtu rritjen e presionit inflacionist, duke vendosur më shumë para në xhepa. Përveç kësaj, një punonjës mesatar i sektorit publik në Zvicër tashmë fiton dukshëm më shumë se një në sektorin privat. Mesatarisht, një punë me kohë të plotë në qeveri ishte 26% më mirë e paguar sesa një punë me kohë të plotë në sektorin privat në Zvicër në vitin 2020.