Dy persona kanë vdekur pasi një aeroplan i vogël u rrëzua sot në një fabrikë në Gjermaninë veriore.
Sipas njoftimit nga autoritetet gjermane, si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën piloti dhe bashkëpiloti, teksa aeroplani u ngrit nga fusha ajrore në Salzgitter-Drütte dhe u rrëzua në vendin e fabrikës së çelikut në Salzgitter, pas një fluturimi të shkurtër. Salzgitter AG është një nga prodhuesit më të mëdhenj të çelikut në Gjermani, transmeton albinfo.ch.
Shkaku i saktë i përplasjes deri më tani nuk është plotësisht i qartë, por një zëdhënës i policisë theksoi se supozohej të ishte një aksident.
Aeroplani u rrëzua në një rrip të ngushtë midis dy sallave dhe mori flakë, tha menaxheri i operacioneve të brigadës së zjarrfikësve, Arno Sicks.
Sipas tij, vetëm pjesë të krahëve mund të shiheshin përmes tymit të dendur, duke përshkruar atë që mbeti si një “kornizë çeliku e djegur”, teksa theksoi se rreth 90 persona nga stafi i shërbimeve të urgjencës dolën në vendin e ngjarjes, që ndodhej rreth 50 kilometra në lindje të Hanoverit.