albinfo.ch
Sport
Rreth Flamurit dhe “Ganiut” të përbashkuar!
Një turmë e vogël e fansave të kombëtares ka sjellë gjallëri në pasditen e qytetit të përgjumur francez. Ata kanë bërë rreth 300 kilometra për të qenë pranë kombëtares, për të brohoritur për flamurin dhe për “Ganiun” e tyre (Gianni de Biasi-n)
Esmeraldi, Astriti, Ariani, Avdullahu dhe disa të tjerë, të gjithë të rinj në mes 18 dhe 30 vjet ia japin ngjyrat dhe zërin e tyre grupit që skandon me gjithë fuqinë në tribunat e stadiumit të qytetit francez Perros Guirec.
“Shqipëria, Shqipëria”, rrah muret e stadiumit të vogël jehona e brohoritjeve, aq sa do ta fitosh përshtypjen se është duke u zhvilluar ndonjë ndeshje në mes përfaqësueseve të dy shteteve. Ndërkaq, e gjithë ajo që shohim në fushën e blertë është një stërvitje krejt e zakonshme e Kombëtares Shqiptare të stacionuar në këtë qytet.
Sot, ajo ka hapur dyert për publikun dhe Astriti me shokë e kanë ditur këtë, prandaj kanë shfrytëzuar nga rasti. Veç tyre këtu janë edhe një numër nxënësish të shkollës së afërme fillore, autoritetet e qytetit si dhe vetë kryebashkiaku. Të gjithë kënaqen duke parë futbollistët kulminantë shqiptarë tek ushtrojnë sipas mësimeve të trajnerit të tyre De Biasi. Por si gjithnjë, është një bërthamë më e zëshme që shpreh entuziazmin me këtë mundësi që u është dhënë. Është ajo rreth Astritit, Esmeraldit dhe shokëve të tyre zëmëdhenj.
Edhe pse e marta është ditë pune, ata kanë bërë afër 300 kilometra në dy drejtime nga qyteti Rennen
“Po burrë, kemi ardhur nga Rennan-i për të mbështetur kombëtaren tonë të zemrës. E duam dhe përpiqemi të jemi atje ku është ajo”, thotë për albinfo.ch me sytë që i shkëlqejnë, Astriti, një i ri me kokë të qethur, me prejardhje nga Tropoja. Njësoj tregojnë edhe Esmeraldi dhe të tjerët, disa nga Kosova e disa nga Shqipëria. Por, më shumë se për të treguar, ata janë këtu për të brohoritur, skanduar pa u ndalur: “Shqipëria-Shqipëria”.
Tashti, ata nuk kanë si të vazhdojnë bisedën me mua: pranë tyre po vjen ai që është identifikuar si më i merituari për arritjen e Shqipërisë në Evropianin 2016: është Gianni de Biasi, kryetrajneri tashmë mitik i Kombëtares. Përmes brohoritjeve të pareshtura “Gani-Gani”, vjen “Ganiu” duke u përplasur në “shpalirin” e adhuruesve që ishin kujdesur të zinin rreshtin e parë të shkallëve për të ndjerë më afër frymën e Kombëtares.
Dhe “Ganiu”, siç e quajnë shqiptarët pak në shaka e pak nga simpatia, nuk kursen veten, shkruan albinfo.ch. Ai që në disa intervista me media të huaja ka thënë se “shqiptarët më shikojnë si mbret”, është pikërisht në elementin e tij: hidhet në përqafim të djelmoshave që janë ngritur mbi grilat e stadiumit për të prekur nga afër mrekullinë.
“Gianni-Gani” jehon gjithandej ndërkohë që De Biassi rrëshqet nga njëri te tjetri adhurues: të parit i jep një autograf në fanellë, të dytit në fotografi, me të tretin, të katërtin a të dhjetin bën një selfie, dy, tri… Ai di mirë të shkrihet në valën e euforisë së shqiptarëve të rinj dhe nuk do ta zhgënjejë asnjërin. As Astritin, as Esmeraldin, as Arianin por as të gjithë ata Laurant-a, Felix-a, Barbara apo si quhen ndryshe francezët e vegjël që i ka kapur po ashtu dallga e euforisë shqiptare.
Ashtu siç kishte ardhur duke parakaluar nëpër rrugët e qytetit, me flamuj, me fanella e rekuizita të tjera të kombëtares, grupi i vogël rreth Astritit e Esmeraldit, parakalon edhe duke u kthyer, rrugëve të qytetit të vogël të Francës Veriperëndimore, Perros Guirec. Kjo turmë e vogël shikohet me simpati nga qytetarët, të cilët janë mësuar këto ditë me “frymën shqiptare” që ka marrë qyteti i tyre. Flamuri shqiptar valon në shumë lokale dhe në sheshe të qytetit. Aq shumë dhe aq dendur sa që duket se francezët bretonë tashmë kanë filluar ta duan atë.
Edhe Besniku ndihmon
Edhe Besniku, ai çuni që është angazhuar vullnetarisht në sigurimin e stadiumit gjatë këtyre ditëve, është po nga qyteti Rennan. Me uniformën e sigurimit, një fanellë e kaltër dhe me pamjen e tij bionde, ai më parë do të merrej për francez. “Jam shqiptar”, i përgjigjet ai kërshërisë së gazetarit të albinfo.ch. Por, i pyetur nëse ka ardhur me ekipin nga Tirana, ai mohon: “Jo, jam nga këtu, një qytet i afërm, Rennen”, por emigrant nga Shqipëria. Kam treguar vullnetin për të qenë pjesë e ekipit shqiptar pasi që mu dha mundësia të ndihmoj.
E-Diaspora
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit Dr. Edin Nevzati punon si neurokirurg në SHBA, në Universitetin e Kolorados ndërsa ruan lidhjen shkencore...
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
Jeta në Zvicër
-
Zviceranët pesimistë për vitin 2025, sa i përket anës financiare Numri i njerëzve që kanë vështirësi në pagesën e primeve të sigurimit shëndetësor nuk ka qenë...
-
Një skiator humb jetën nga orteku në Zvicër
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
84 franga në ditë, ku shkojnë paratë që paguani për biletën e skive?
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik, por bëjnë presion mbi industrinë e hoteleve dhe restoranteve