Lajme

Rreth 500 të rinj janë kurorëzuar “me letra”

Brenda gjashtë muajve të këtij viti, 931 kosovarë kanë kërkuar bashkim familjar në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, prej tyre 486 janë të kurorëzuar me letra

Gjatë 6 muajve të parë të këtij viti më shumë se 900 kosovarë i janë drejtuar Ambasadës Zvicerane në Kosovë për të kërkuar bashkim familjar, ndërsa gjysma prej tyre janë të rinj ose të reja që janë kurorëzuar me letra në Zvicër. Këto statistika i ka publikuar ambasada helvetike në Prishtinë.   

Sipas këtij njoftimi, nga janari e deri në qershor të këtij viti, 931 aplikacione janë dorëzuar për bashkim familjar, ndërsa 486 kanë aplikuar për dokumente zvicerane si rezultat i martesave.

Kjo shifër del të jetë më e vogël se sa ajo e vitit paraprak. “Në vitin 2012 numri i kosovarëve që kanë aplikuar për bashkim familjar ka qenë 2163 nga të cilat 1112 janë kërkesa për martesë me shtetas zviceran”, thuhet në njoftim, citon “Zëri”.

Ndërsa Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se nuk ka të dhëna të detajizuara në lidhje me numrin e kërkesave që janë bërë si rezultat i martesave në mes të shtetasve të Kosovës dhe të atyre Gjermanisë.

Por aplikacionet për leje-qëndrim në Gjermani sipas kësaj ambasade nuk procedohen vetëm në Ambasadë, por edhe përmes autoriteteve për të huaj në Gjermani (Ausländerbehörden)  dhe në rast të kërkesës për punësim edhe përmes Agjencisë së Punësimit  (Agentur für Arbeit).

Sido që të jetë, ambasada Gjermane në Kosovë ka njoftuar se vetëm në vitin 2013 për shtetasit e Kosovës janë lëshuar 3600 viza të tipit “D” që nënkupton lejeqëndrim. Nga numri prej 3600, sipas të njëjtës ambasadë, 2400 nga to kanë të bëjnë me bashkime familjare.

Nga numri prej 2 mijë e 400 sipas ambasadës, 1 mijë e 600 janë lëshuar me qëllim të bashkimit burrë-grua. “Shumë persona të referencës (kush njëri nga bashkëshortët jeton në Gjermani)  ende e mbajnë shtetësinë e Kosovës dhe një leje-qëndrim për në Gjermani derisa disa tashmë e kanë fituar shtetësinë gjermane”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, “nuset me letra” janë jashtëzakonisht të kërkuara nga të rinjtë në Kosovë. Sipas një statistike që është bërë një vit më parë, më shumë se gjysma e të rinjve në Kosovë dëshirojnë të migrojnë në BE, ndërsa gjatë verës disa të rinj kanë mbajtur në dorë sloganin “dua nuse me letra”.