Kosova

Rreth 5 mijë persona hoqën dorë nga nënshtetësia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2021

Gjithsej nga 4940 qytetarë që morën pasaporta të vende të tjera gjatë vitit që lëmë pas, 2530 ishin meshkuj dhe 2410 ishin femra

Tashmë i bëj katër vite që kur jam shpërngulur në Gjermani Nuk e di nëse do të heqi dorë nga shtetësia”, janë këto fjalët e Leotrim Rexhepit, 26 vjeçar nga komuna e Podujevës, i cili gjatë një bisede me Albinfo.ch, ka treguar se kanë qenë kushtet e vështira ekonomike që e kanë detyruar të largohet nga vendlindja.

Jam larguar për një jetë më të mirë në Gjermani. Kam një stabilitet financiar. Në fillimi e kam pasur shumë vështirë, por kam arritur të adaptohem. Jam detyruar të largohem nga Kosova, pasi ka qenë shumë e vështirë për mua dhe familjen time”, tregon ai.

Rexhepi jeton në Gjermani me gruan dhe dy fëmijët e tij, ndërsa thotë se deri tani nuk është obliguar të heqë dorë nga shtetësia e Kosovës, por që nuk e din nëse do i duhet ta bëjë në të ardhmen.

Megjithatë, jo të gjithë e kanë ‘fatin’ e Leotrimit, pasi shumë qytetarë të tjerë, tashmë ish-shtetas të Kosovës, janë detyruar të heqin dorë nga shtetësia e kosovare.

Gjatë dy viteve të fundit, 2020 dhe 2021, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 8573 persona. Sipas të dhënave të cilat i ka siguruar Albinfo.ch nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021 nga shtetësia kosovare janë liruar 4940 persona.

Shtetet me të cilat kosovarët e ‘ndërruan’ shtetësinë e tyre gjatë vitit 2021 janë: Gjermania me 4338 persona, Austria me 433 dhe Sllovenia me 79 persona. Të njëjtat shtete, ndonëse me numër pak më të vogël ishin ato që u dhanë shtetësinë kosovarëve edhe gjatë vitit 2020, shkruan Albinfo.ch.

Gjithsej nga 4940 qytetarë që morën pasaporta të vendeve të tjera gjatë vitit që lëmë pas, 2530 ishin meshkuj dhe 2410 ishin femra.

(Burimi: MPB)

Sociologët: Dorëheqja e rreth 8500 personave nga nënshtetësia, sinjal për autoritetet kosovare

Bota e shndërruar në fshat global, sigurisht që ka nxitur migriacion të popullsisë e fenomene të tjera shoqërore. Por fakti që mbi 8500 qytetarë kanë ardhur në gjendjen për të hequr dorë nga nënshtetësia kosovare brenda dy viteve të fundit, sipas sociologëve po vjen si rrjedhojë e shumë faktorëve, si: papunësia, mungesa e perspektivës, periudha e tranzicionit, mungesa e sigurimeve, mos liberalizimi i vizave, si dhe arsyet individuale apo bashkimi familjar.

Sociologu Ferdi Kamberi, thotë se bazuar në faktorët e cekur, kjo situatë duhet të jetë sinjal për autoritetet e vendit.

“Shifrat e paraqitura se rreth 8500 persona kanë braktisur shtetësinë kosovare brenda dy viteve, që mendoj se ky numër mund të jetë shumë më i madh, japin një sinjal për autoritetet kosovare se duhet të gjejnë një zgjidhje, në të kundërtën mund të kemi probleme të theksuara. Deri më tani ky trend ka prekur sidomos strukturën kryesore të shoqërisë kosovare, pra ka prekur në mënyrë direkte të rinjtë dhe profesionet e ndryshme, përfshirë këtu: mjekët, infermierët, hotelerinë, punëtorët e krahut, profesionistët e ndërtimtarisë, si dhe profesione të tjera”, thotë Kamberi.

Mes rreshtash, në bisedë me Albinfo.ch, Kamberi paralajmëron edhe problemet me të cilat mund të ballafaqohet Kosova në të ardhmen, si rrjedhojë e migrimit.

Disa nga problemet që mund të ballafaqohet Kosova në të ardhmen mund të reflektojnë në: mplakje të popullsisë, migrim masiv, ulje të natalitetit – edhe ashtu mesatarja në Kosovë e lindjeve aktualisht është diku 2.5, gjë që është shumë e ulët në raport me numrin e popullsisë – mungesë të fuqisë punëtore, mungesë të profileve të ndryshme për të cilat Kosova ka nevojë, pastaj me rastin e braktisjes së vendit, gjeneratat e reja mund të shkojnë drejt asimilimit, si dhe probleme të tjera të theksuara”, shton sociologu Ferdi Kamberi.

Ndryshe, kohëve të fundit është ngritur diskutimi se në sektorin privat po vërehet mungesë e theksuar e punëtorëve të kualifikuar. Ky diskutim nga ngriturshqetësime edhe të njohësve të fushës. Ditë më parë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi kishte deklaruar në media se ekziston mundësia se deri në fund të vitit 2022 të ketë mungesë të fuqisë punëtore në shumë sektorë.

Nga ana tjetër, paga mesatare në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 466 Euro bruto dhe 416 Euro neto. Kjo pagë ishte matur në vitin 2020, ndërsa si rrallë diku në botë, në vend të ngritjes nga viti në vit, kishte pasur rënie nga viti 2019, atëherë kur paga bruto ishte 477 Euro e ajo neto 430 Euro.

Ndërkohë që pagat po ulen, vendet si Gjermania kanë paralajmëruar se kanë mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, dhe rrjedhimisht po kërkojnë emigrantë për të përballuar këtë krizë. Vetëm pak ditë më parë,  Gjermania i ka treguar botës se ka mbi 300 mijë vende pune të lira, e ky numër mund të shkojë deri në 1 milion. Mbase edhe kjo duhet të jetë sinjal për autoritetet kosovare, kur edhe sipas të dhënave të mësipërme shihet se shteti gjerman po prin me dhënien e shtetësisë për qytetarët e Kosovës./Albinfo.ch