Futboll

Rrëfimi i Hasit: Shqipëria, Kosova, Anderlechti dhe Olympiacos

“Unë jam njeri së pari dhe së dyti jam shqiptar dhe krenohem me atë që jam. Fëmijët e mi kanë lindur në Belgjikë dhe flasin gjuhën shqipe, madje me dialekt të Gjakovës, sepse janë mësuar në shtëpi”, u shpreh Besnik Hasi

Besnik Hasi mund të konsiderohet si një nga ikonat e futbollit shqiptar, për karrierën e tij futbollistike në perëndim, por edhe atë prej trajneri.

I rritur profesionalisht në perëndim, ai në moshën 27-vjeçare mbërrin në Kombëtaren kuqezi si shqiptari i parë i Kosovës që debutonte me Kombëtaren.

Në një intervistë për Top Channel, Besnik Hasi rrëfen momentet e para të kontakteve me skuadrën përfaqësuese.

“Ishte trajneri i atëhershëm Medin Zhega që më kontaktoi për interes të Kombëtares shqiptare. Ishte fillimi i vitit 2000. Më pas pata edhe kontakte me Igli Taren, i cili më bindi se Kombëtarja po bënte një skuadër konkurruese për aktivitetet ndërkombëtare, si përfaqësues të vendit tonë. Ishim larguar shumë herët nga Kosova dhe Kombëtarja jonë në atë kohë nuk ekzistonte. Kur erdhi ftesa e Shqipërisë, normal që mburresha dhe kisha një kënaqësi të veçantë. Mbaj mend ndeshjen e parë kur luajta, ishte një miqësore në Tiranë me Maltën. Në stadium ishin rreth 2.500 vetë, sepse në atë kohë nuk vinin shumë tifozë në stadium. Kur filloi himni kombëtar, nisi ajo rrëqethje që të mbërthen”, rrëfen Hasi, përcjell albinfo.ch.

Në ato vite, shumë gjëra nuk funksiononin dhe Kombëtarja, sipas Hasit ishte një ekip gjysmë-amator.

“Mbaj mend stërvitjen e parë. Qëndronim në Dajt, shumë larg vendit ku duhej të stërviteshim. Nuk kishim një plan programi që të theksonte se ‘nesër në mëngjes bëhet stërvitja’, apo gjëra të tilla. Zgjohem dhe pyes se kur ishte stërvitja. Më thanë ‘Ja prit të zgjohen të gjithë, do pyesim, do bisedojmë e pastaj stërvitemi’. Kjo ishte diçka që nuk e kisha parë ndonjëherë në karrierën time. Më pas shkuam për t’u stërvitur në Qendrën stërvitore ‘Dinamo’. Fusha ishe në gjendje të mjerueshme, stërvitja na kapi në një orar që po errësohej dhe fusha nuk kishte drita. Ishte vëllai i një prej lojtarëve tanë, që qëndronte aty, ai që reagoi e tha ‘Nuk ka gjë se po ndez unë dritat e Benzit’. Mendova me vete…Bobo ku paskam ardhur”, tregon më tej Hasi.

Për të, kulmi i asaj Kombëtareje në të gjitha këndvështrimet ishte fitorja përballë kampionëve të Evropës, Greqisë.

“Ndeshja me Greqinë i përmbledh të gjitha në ato vite. Ata sapo ishin shpallur kampionë të Evropës dhe kjo ishte ndeshja e parë zyrtare, pasi ishin shpallur kampionë. Ishte shtator, atmosfera në Shqipëri kishte të gjithë javën që ishte ndezur. Në atë kohë ishim shumë më profesionistë. Kur shkuam përpara ndeshjes në stadium, sheshi ‘Skënderbej’ ishte mbushur plot. Thamë me vete…s’paskan shkuar ende në stadium këta? Kur arritëm më pas në stadium, ai ishte i mbushur plot e përplot. Ata që pamë janë ishin tifozët që nuk kishin siguruar dot biletë e kishin mbetur jashtë. Dhe normal, si çdo herë përpara ndeshjes, kur futemi në stadium shohim barin për të vendosur se çfarë takash do të mbajmë për lojën. Atmosfera ishte e paparë, unë kisha luajtur me Realin e Madridit me 60-70 mijë shikues, derbin e Belgjikës, por prapë nuk krahasohej me atë atmosferë, sepse ishte vendi im. Në një moment isha me Igli Taren dhe ai më pa që u emocionova, e më tha ‘Ej, ej, prit, prit s’ka filluar ende loja’. I thashë se ajo ishte hera e parë që e shihja vendin tim në këtë mënyrë”, zbulon Hasi nga përjetimet e tij.

Në vitin 2013, emri i Besnik Hasit, i cili në ato kohë ishte zëvendës-trajner i Anderlechtit, përmendet zyrtarisht si kandidaturë për postin e Kombëtares kuqezi.

“Ishin bisedime shumë pozitive me presidentin e Federatës. Ishte një vendim shumë i vështirë, pasi isha shumë i lëkundur në atë moment. Doemos, kur vendi yt të bën një ofertë për të qenë trajner provon një krenari, një përgjegjësi. Në ato momente isha zv.trajner dhe nuk kisha përvojë si trajner i parë. Tek Anderlechti më respektonin shumë, qoftë si klub, qoftë presidenti. Nga ana tjetër kisha edhe respektin e presidentit të Federatës, Armand Duka. Ishte një vendim shumë i vështirë. I pata thënë edhe presidentit Duka se ishte një vendim që nuk mund ta merrja vetëm, pasi duhej të konsultohesha edhe me presidentin e Anderlechtit, pasi i detyrohesha shumë. Ai sigurisht nuk më la e më tha ‘duhet të rrish këtu’, ndaj dhe kur e mora atë vendim ishte shumë e vështirë. Edhe më e vështirë ishte që t’ia thoja këtë presidentit Duka. Ai më kishte dhënë shumë besim dhe më kishte lënë kohën në dispozicion për të vendosur”, shprehet Besnik Hasi.

Pak muaj më pas, në vitin 2014, Hasi merrte postin e trajnerit të Anderlechtit.

“Mbaj mend fjalët e presidentit të Anderlechtit, Roger Vanden Stock, kur më vendosi si trajner. Më tha: Besnik, të kam si fëmijën tim, sepse ke kaq vite në këtë klub. Por si trajner i parë, ti e kupton që ditët i ke të numëruara! Po e di – i thashë, – do të vijë një ditë që do të largohesha. I thashë gjithashtu se, më mirë sesa atje unë nuk kisha ku të gjeja, pasi isha si në shtëpinë time. Jetoja vetëm 5 km larg stadiumit”, tregon Hasi.

Dy vitet e suksesshme me Anderlechtin, ku fitoi kampionatin dhe kupën, e rritën nivelin e kërkesave ndaj Besnik Hasit.

“Vendimi për të shkuar te Legia ndoshta ishte një revoltë, sa më shpejt. Kisha oferta shumë të mira që i mbylla vet, që të mos shkoja. Nuk e di, isha në luftë me vetveten dhe mora një nga vendimet me më pak mundësi. Gjithë shokët dhe familjarët e mi më thanë se bëra dy zgjedhje në vendet ku urrejnë shqiptarët. Më pas erdhi vendimi për tek Olympiacosi i Pireut, sepse e konsiderova një skuadër shumë të madhe. Doja që të shkoja e të bëja një rezultat të mirë. Por, fati u kthye në drejtim tjetër aty. Ndoshta ka qenë edhe më e vështirë sepse kam qenë shqiptar, ndoshta, por unë nuk e mendoj ashtu, sepse nuk ia lejoj vetes ta mendoj ashtu. Unë jam shqiptar, edhe pse kam pasaportë belge, sepse mua në Belgjikë më njohin për shqiptar. Unë nuk mund ta mohoj që jam shqiptar. Unë jam njeri së pari dhe së dyti jam shqiptar dhe krenohem me atë që jam. Fëmijët e mi kanë lindur në Belgjikë dhe flasin gjuhën shqipe, madje me dialekt të Gjakovës, sepse janë mësuar në shtëpi. Dëshpërimi është që nuk vazhdova më tutje dhe në imazhin tim më kanë dëmtuar këto dy klube”, shprehet Hasi.

Vitet e fundit, me njohjen e përfaqësueses së Kosovës, mes trajnerëve të kombëtareve, por edhe federatave ka filluar një rivalitet i pashmangshëm.

“Para se Kosova të pranohej në UEFA ishte shumë më e lehtë për Shqipërinë, sepse të gjithë talentet mbarëshqiptarë vendosnin për Shqipërinë, ndërsa sot janë dy ekipe. Djemtë që kanë prejardhjen nga Kosova luajnë për Kosovën dhe është e natyrshme. Por, ka edhe nga ata që zgjedhin Shqipërinë, sepse është një ekip shumë i mirë dhe kjo si skuadër ka traditë. Ka futbollistë që e shohin Kombëtaren si shkallë që të shkojnë më lart, që është e gabuar për mua, sepse Kombëtaren në radhë të parë duhet ta ndjesh dhe më pas vijnë të tjerat. Sigurisht që zgjedhjet e futbollistëve tani nuk janë më të lehta, sepse janë dy kombëtare”, thotë Hasi.

Po vet Hasi, a do të zgjidhte sërish Shqipërinë në këto kushte? “Nuk e di. Do të ishte shumë e vështirë. Jam i kënaqur që nuk e kam pasur mundësinë të zgjedh, sepse nuk është e lehtë”, deklaron gjakovari.

Megjithatë, ai zbulon se ka provuar edhe fanellën e Kombëtares së Kosovës, edhe pse fshehurazi.

“Gjashtë muaj pasi lashë Kombëtaren e Shqipërisë, në atë kohë Kombëtarja e Kosovës nuk ishte ende e pranuar, u zhvillua një turne në Turqi dhe Kosova luajti me Arabinë Saudite. Nuk ishte ndeshje zyrtare dhe duhej të luhej në një fushë që nuk e dinte askush, sepse kishin frikë se reagonte Serbia në UEFA. Isha dhe unë në atë ndeshje, ‘Duhet të kemi kapiten për këtë ndeshje’, më thanë. Fituam 0-1. Ishte eufori e madhe, sepse s’kishte njerëz. Vetëm ata që e organizuan ndeshjen dhe pjesëtarët e stafit të Federatës së Kosovës. Ndjenjë shumë pozitive, sidomos për ata çuna, sepse e morën si arritje që luajtën për Kombëtaren dhe fituan”, zbulon Hasi.

Një dëshirë e madhe për të mbetet gjithsesi drejtimin i Kombëtares kuqezi. “Në futboll asnjëherë nuk është momenti ideal. Sot jam pa punë dhe pa klub dhe Federata Shqiptare e ka trajnerin. Mbase kur Shqipëria të mos ketë trajner unë do të kem një klub, por dëshira është e madhe dhe as nuk e mohoj dot dhe askush tjetër që ka luajtur edhe për Kombëtaren, që ka dëshirë të drejtojë Kombëtaren. Shpresoj që një ditë do të jetë rasti im të jem trajner i Kombëtares”, thekson trajneri gjakovar.

Sa i përket Kombëtares së Kosovës, duket se ai nuk ka qenë asnjëherë në preferencat e tyre.

“Nuk e di a kam qenë në listën e tyre, por unë s’kam pasur asnjë kontakt me asnjë nga Federata e Kosovës, apo nga ndonjë që punon për Federatën e Kosovës”, mbyll intervistën e tij për Top Channel, Besnik Hasi.