Futboll

Rrahmani largohet nga Rapidi

Skuadra e Rapidit të Bukureshtit ka njoftuar të dielën në mëngjes për largimin e sulmuesit të Kosovës, Albion Rrahmani.

Klubi rumun ka theksuar se Rrahmani do t’i kryejë testet mjekësore të dielën te një klub tjetër.

Ndërkohë, mediumi rumun “sport.ro”, ka shkruar se Rrahmani do t’i bashkohet kampionit të Republikës së Çekisë, Sparta Pragës, për 5 milionë euro.

Rrahmani 23-vjeçar në edicionin e kaluar realizoi 18 gola dhe dhuroi gjashtë asistime në 28 ndeshje.

Rapidi, siç shkruan mediumi rumun, do të ketë 15 për qind të fitimit nga shitja e ardhshme e tij.

Ndërkohë, edhe Ballkani do të përfitojë prej shitjes së Rrahmanit te Sparta çeke.

Kampioni i tri edicioneve të fundit në Kosovë do të përfitojë 750 mijë euro./Koha.net