E-Diaspora

“Romancë e hidhur”, film që godet paragjykimet fetare

Mbrëmjen e të premtes u shfaq në Winterthur premiera e filmit „Romancë e hidhur”, produksion kinematografik me skenar dhe regji të regjisorit dhe aktorit shqiptar në Zvicër, Valton Jakupi.

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Diversiteti fetar si pengesë e një dashurie ndërmjet dy të rinjve shqiptarë në Zvicër që përfundon gati në tragjedi,është tema kryesore e filmit të metrazhit të gjatë, një projekt filmik që e ka vizuelizuar regjisori dhe aktori Valton Jakupi.

Valtoni, në rolin kryesor të këtij projekti kinematografik, kishte mbledhur në Winterthur artdashësit e filmit në një kinema të improvizuar në sallën e hotelit „Töss,“ që ishte mbushur plot, për të sjellë premierën e tij që në fokus kishte diferencat fetare ndërmjet shqiptarëve, por edhe një pjesë të dhunshme të tyre.

Para se të nisë shfaqja e premierës „Romancë e hidhur“, në skenë u ngjiten shumica e aktorëve që kishin luajtur në këtë film, ndërsa regjisori Jakupi kishte menduar të falënderonte me mirënjohje sponzorët dhe të gjithë ata që kishin ndihmuar të jetësohet ky projekt filmik.

Romancë dhe skena herë pas here komike që gërshetohen edhe me ato të dhunës, me pak fjalë mund të përshkruhet përmbajtja e filmit, për të cilin regjisori Valton Jakupi tha të ketë përçuar mesazhin e duhur për të thyer një „tabu“, dallimin ndërfetar në mes të shqiptarëve në Zvicër.

Ai tha se kjo temë është aktuale për realitetin e shqiptarëve të këtushëm, por që, sipas tij, nuk është prekur asnjëherë nga filmografia, sidomos në diasporë.

„Mendoj se është thyer akulli që tash e tutje të hapet debati për dallimet fetare ndërmjet shqiptarëve. Edhe aktorët në film janë të dy konfesioneve fetare dhe gjatë bisedave ishte i theksuar dallimin mes tyre. Ne kemi marrë guximin t’u themi se ne rinia shqiptare jemi për të ruajtuar kulturën dhe traditat shqiptare mbi ato fetare“, thotë aktori kryesor, njëherësh edhe regjisor dhe skenarist i filmit.

I pyetur për skenat e dhunës, për një film të paramenduar si romancë, ai tha se filmi gërthen edhe probleme të tjera shoqërore të komunitetit shqiptar në Zvicër, ndër të cilat është edhe veprimtaria e organizuar e grupeve dhe bandave kriminale me një porosi të fortë për të rinjtë në diasporë.

Njëri prej aktorëve ndoshta më të vjetër në filin „Romancë e hidhur“ është edhe Fatmir Saliu, i cili luan në rolin e babait të Albanës, Markun, një burrë zakoni, i traditës, por edhe patriot i flaktë, i cili ka qenë shumë aktiv në aktivitetin patriotik të kurbetçinjve shqiptarë, duke marrë pjesë nëpër protesta e demonstrata, në të cilat shpesh edhe ka mbajtur fjalime.

Salihu thotë se shqiptarët i kanë tejkaluar dallimet fetare mes tyre.

„Shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë problem as nuk do ta kenë në të ardhmen, por është mirë të aktualizohet dhe të përçohet mesazhi se kombi është mbi të gjitha, e jo feja. Kjo është pjesë e artit dhe e krijimtarisë kulturore në diasporë. Dhe, si tendencë e regjisorit duhet të vlerësohet dhe të mos presim ku me ditë çfarë vlerash“, thotë Fatmir Salihu.

Por krejt ndryshe mendon Agim Sylejmani, aktori të cilin e luan rolin e Reshatit, babai i Gencit, protagonistit kryesor të filmit.

Dallimet fetare, sipas tij, shkojnë edhe më largë se është paramenduar në film.

„Në momentet kur është marrë vesh se po xhirohet një tematikë e tillë në film, ka pasur kërcnime të drejtpërdrejta të skenaristit dhe regjisorit. Nuk është kaq e vogël dhe këtu është treguar vetën një pjesëz e atij realiteti. Të rinjtë e dy konfesioneve edhe takohen mes veti, paramendo çfare dramash mund të ndodhin“, thekson Sylejmani, i cili kishte promovuar filmin në media të ndryshme.

Me pjesën ku tregohen shqiptarët e dhunshëm aktori Sylejmani potencon se kanë dashur të tregojnë edhe këtë pjesë, ngase, siç tha ai, nuk mund ta fshehnin në mesin e 350 mijë shqiptarëve në Zvicër.

Sylejmani ka kritikuar përfaqësues institucionesh kulturore dhe diplomatike të Kosovës në Zvicër, të cilët edhe pse ishin ftuar, nuk kanë gjetur kohë të marrin pjesë në premierën e filmit.

Për Arbër Bullakajn, politikanin dhe afaristin shqiptar nga qyteti Will i Kantonit St. Gallen, filmi sjell dy histori që takohen në disa raste.

„Besoj se komunitetit i mungojnë projekte të tilla filmike dhe është një fillim shumë i mirë dhe shpresoj se do të ketë projekte të tjera të tilla kulturore. Arti, kultura gjithmonë i bashkon shqiptarët dhe tregon se e duam kulturën. Shqiptarët shumë flasin për kombin dhe kanë bërë shumë për kombin, por kur vjen në pyetje feja, sërish ndahen mes tyre. Këtë realitet e sjell edhe skenari i këtij filmi“, kështu mendon Arber Bullakaj, i cili ishte i pranishëm në shfaqjen e premierës së filmit „Romancë e hidhur“, e cila vitin e kaluar ishte shfaqur edhe në Bujanoc, vendi i origjinës prej nga vjeni regjisori Valton Jakupi.

“Romanca e hidhur” është film i metrazhit të gjatë, i kinoproduksionit “International Europe London Swiss” dhe Theater Antika Switzerland.

Filmi “Romanca e hidhur” është xhiruar vitin e kaluar në Zvicër. Në këtë film regjisori iu ka dhënë hapësirë studentëve shqiptarë të akademive të ndryshme të Kosovës dhe Zvicrës që të shfaqin talentin e tyre artistik.