Shqipëria

Roma, destinacioni më i shpesht nga Tirana

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit është Roma, me 323 mijë pasagjerë, me rritje prej 7.6% me bazë vjetore

Trafiku i pasagjerëve në Aeroportin e Rinasit ka ardhur në rritje vit pas viti, për të arritur në një rekord prej 2.6 milionë pasagjerësh në vitin 2017, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 20%.

Shqiptarët që udhëtojnë tek të afërmit, apo për qëllime turistike, apo dhe të huajt që vizitojnë vendin e më pas kthehen në shtëpitë e tyre, e kanë mbajtur mjaft të zënë aeroportin e vetëm në vend. Shqipëria në vitin 2017 përjetoi një lulëzim turistik dhe kjo ka ndihmuar shtimin e trafikut në aeroportin e vetëm në vend, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2002, rreth 50% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve, e zinte kompania Belle Air, që kishte fluturime të shumta direkte drejt qyteteve italiane. Por, pas falimentimit të saj në fund të vitit 2013, tregu u rikonfigurua dhe operatorë të rinj kanë hyrë, duke ndarë, së bashku me AlItalia, tregun e Italisë.

Destinacionet drejt Italisë zinin 57% të tregut total të fluturimeve në 2017-n, e pandryshuar në krahasim me vitet e mëparshme.

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit është Roma, me 323 mijë pasagjerë, me rritje prej 7.6% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.

Destinacioni i dytë është Milano, me 267 mijë pasagjerë, me rritje 27% në raport me një vit më parë. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.5 milionë në vitin 2017 (rritje 18.4%), ose 62% e totalit.

Stambolli është në vend të tretë, me 235 mijë pasagjerë (16% rritje). Edhe Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht drejt SHBA-së, por edhe vendeve aziatike.

Vjena mbetet pika kryesore e kalimit drejt gjithë Evropës e jashtë saj. Në vitin 2017, nga dhe drejt Aeroportit të Vjenës udhëtuan rreth 174 mijë pasagjerë, me një rritje prej 9.6% në krahasim me 2015-n.

Më pas renditen qytetet e Italisë, si Piza, Bergamo, Bolonja, Verona, ku jetojnë e punojnë shumë emigrantë.

Me Athinën udhëtuan rreth 84 mijë pasagjerë, teksa qytetet e Greqisë janë përgjithësisht të arritshme përmes kufirit tokësor. Ka pasur një rritje të ndjeshme të pasagjerëve për në Frankfurt, me 75 mijë pasagjerë, trefishim në krahasim me vitin e kaluar. Edhe nga dhe drejt Londrës udhëtuan 85 mijë pasagjerë, një rritje 15%.

Destinacionet e reja të vitit 2017 janë Amsterdami dhe Parisi, me përkatësisht 27 mijë dhe 25 mijë pasagjerë, pasi operatori Transavia filloi fluturimet direkte drejt këtyre qyteteve. Nga dhe për në Budapest, nga ku filloi fluturimet Wizz Air, udhëtuan 30 mijë pasagjerë.