Integrimi

Roli i prindërve migrantë në procesin shkollor

Suksesi i fëmijëve mund të ndikohet nga shkaku i mospërgatitjes dhe mosinformimit adekuat me sistemin shkollor në Zvicër

Temat e bisedës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Universiteti popullor shqiptar (UPSH) dhe portali Albinfo.ch që u mbajt të premten e kaluar në Gjenevës më temën «Suksesi shkollor si dhe mbështetja e fëmijëve në mësime: sfidat dhe mundësitë për prindërit migrantë” gravituan rreth dy boshteve kryesore.

Nga njëra anë, u theksua fakti se në sistemin shkollor zviceran prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në procesin mësimor si dhe në suksesin shkollor të fëmijëve të tyre dhe se ky rol nuk është i përmbushur ashtu siç duhet nga ana e prindërve migrantë.

Në anën tjetër, u nënvizua fakti se institucionet arsimore kanë vënë në dispozicion instrumente të ndryshme për të tejkaluar këto pengesa, por se prindërit nuk janë gjithmonë në rrjedha për ekzistimin e tyre.

Roli i prindërve

Sa i përket rolit të prindërve në shkollimin e fëmijëve të tyre, panelistët ishin të pajtimit se për arsye objektive, një pjesë e prindërve migrantë nuk arrijnë ta përmbushin ate në mënyrë të kënaqshme.

Intervenuesi i parë, Didier Nsasa, koordinator i shoqatës “Maison Kultura” në Gjenevë, përmendi realitetin e prindërve migrantë. Sipas tij, ata nuk arrijnë në Zvicër me të njëjtat botëkuptime për shkollimin dhe rolin e tyre në shkollë si prindër. Në fakt, vlerësimi i nocionit të suksesit të fëmijës dhe të rolit të prindit ndryshon sipas kulturave të prejardhjes. Z. Nsasa shpjegoi se, në rast dështimi të fëmijës së tyre, prindërit migrantë vuajnë nga një dhembje të dyfishtë: këtë dështim ia ngarkojnë vetes.

Cilat janë pengesat?

Të gjithë panelistët ranë dakord me faktin se prindërit migrantë nuk e njohin sistemin shkollor, gjë që ndërlikon shumë mundësinë e tyre për t’i ndihmuar sa më mirë fëmijët.

Gjithashtu, faktori gjuhësor u përmend disa herë. Mosnjohja e gjuhës ngrit një mur të fortë në mes të strukturave shkollore dhe prindërve. Kjo mungesë ka shumë pasoja, siç janë bashkëpunimi me prindër, përcjellja e saktë e informacioneve për fëmijë, kuptimi i botës në të cilin fëmija i tyre zhvillohet, pikat e dobëta të fëmijës dhe mundësitë për t’i tejkaluar ato, etj. Natyrisht se vështirësitë gjuhësore bëjnë që prindërit nuk gëzojnë mundësinë të mbështesin fëmijët e tyre për detyrat shtëpiake, një hendikep i rëndësishëm.

Një pengesë tjetër u theksua gjatë debatit. Joel Pettoud, Drejtor i shërbimit të klasave mirëpritëse si dhe Marina Savastopoulo, dekane e klasave për kyqje socioprofesionale e nxënësve, thanë se në shumicën e rasteve prindërit migrantë mendojnë së angazhimi për një zanat bëhet për shkak të dështimit në shkollim. Ky vlerësim është thellësisht i gabueshëm dhe ndikon në mënyrë negative te fëmija. Prandaj, edhe komunikimi me prindërit është i domosdoshëm për t’ iu larguar sa më shumë keqkuptimeve të tilla.

Integrimi i suksesshëm e fëmijëve në sistemin shkollor varet edhe nga njohuria e prindërve e të po këtij sistemi. Disa pjesëmarrës në debat dëshmuan se sa i ndërlikuar duket sistemi arsimor dhe sa shumë e kanë të vështirë prindërit për ta kuptuar. Edhe pse shumë broshura dhe udhëzime shpërndahen rregullisht, kuptimi i tyre duket ende i pakapshëm për këta prindër.

Instrumentet që shkollat vënë në dispozicion

Joel Pettoud tregoi se Departamenti arsimor i Kantonit të Gjenevës ka zhvilluar projekte të ndryshme për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesave të prindërve migrantë. Përpos klasave të ashtuquajtura mirëpritëse, ai ceku edhe byronë e mikpritjes, ku nxënësit ftohen me prindërit e tyre me qëllim që t’ iu shpjegohet në mënyrë të thjeshtë sistemi arsimor. Ne, nënvizoi ai, takojmë këta prindër në veçanti, së paku një herë në vit. Gjithashtu, z. Pettoud tha se përpos fletudhëzimeve që ekzistojnë, në Gjenevë punon edhe e ashtuquajtura Shkolla e prindërve, në të cilën këta të fundit mund të mësojnë gjuhën dhe të informohen për mekanizmat e ndryshëm arsimorë.

Në anën e tyre, shoqata të ndryshme propozojnë aktivitete të ndryshme për të inkuadruar sa më shumë prindërit në procesin arsimor. Kështu që në Gjenevë një shoqatë propozon kurse për nënat dhe kujdesje për fëmijët e tyre gjatë asaj kohe.

Në lidhje me detyrat shtëpiake shoqatat, siç ështe “Coup de pouce”, mund të sjellin ndihmën e tyre. Pa harruar se vetë shkolla publike propozon orë me mbikëqyrje falas për detyrat shtëpiake.

Roli i gjuhës së prejardhjes

Suksesi i fëmijës ndërlidhet ngushtë në shumicën e rasteve me nivelin e kyçjes së prindërve me prejardhje të huaj. Ramize Rexhaj, mësuese e gjuhës dhe bashkëpunëtore e LAPSH-it, foli për eksperiencën e saj. Ajo tha se mosnjohja e gjuhës bënë që prindërit kanë frikë t’i takojnë mësuesit, t’u përgjigjen kërkesave të ndryshme dhe të kuptojnë se si duhet bërë për të ndihmuar fëmijët e tyre. Mungesa e informimit është hendikep për shumë fëmijë.

Zonja Rexhaj shpjegoi se faktori gjuhësor mbetët po ashtu një problem për fëmijën. Ajo shpjegoi se fëmijët shqiptarë deri në moshën trevjeçare mësojnë gjuhën amtare (Gjuha 1) dhe pastaj mësojnë gjuhën e vendit pritës (Gjuha 2). Me kalimin e kohës gjuha e dytë fiton terren dhe zvogëlon njohuritë e gjuhës së parë. Kjo dukuri ndikon në mënyrë negative në zhvillimin e kapaciteteve të fëmijës. Sipas saj, gjuha amtare duhet vlerësuar sa më shumë, sepse ajo kushtëzon edhe arritjen e suksesshme të fëmijës në gjuhën e dytë.

Foto galeri: http://www.albinfo.ch/fr/gjenev%C3%AB-debat-rreth-suksesit-shkollor-t%C3%AB-f%C3%ABmij%C3%ABve-emigrant%C3%AB-65640