Integrimi
Debat i frytshëm mbi rolin e artit në emancipimin e gruas
Artistja pamore, Nexhibe Imeri, ka bërë bashkë në këtë aktivitet veprat e saj artistike dhe debatin mbi emancipimin e gruas, i cili mbështetet në përvojat e saj personale
Ditë më parë, në muzeun Kunst+Wissen në Diessenhofen, kantoni Thurgau, është mbajtur një debat mbi emancipimin e gruas dhe rolin e artit në këtë proces. Nismëtare dhe organizuese e debatit ishte artistja shqiptare, Nexhibe Imeri, e cila jeton në këtë regjion, shkruan albinfo.ch. Ajo ka bërë bashkë në këtë aktivitet ekspozitën me vepra të saj artistike dhe debatin, i cili mbështetet në përvojat e saj personale.
Në jetën e saj të deritashme, në Preshevë, ku është lindur dhe në Zvicër, ku jeton nga mosha 19-vjeçare, Nexhibe Imeri është përballur me barrierat që i kanë ardhur nga shoqëria patriarkale, gjegjësisht mendësia mbizotëruese në rrethin shqiptar prej nga ajo vjen. Rreth kësaj është zhvilluar edhe debati në aktivitetin e përmendur.
Nexhibe Imeri me këtë rast ka lexuar një autobiografi mjaft mbresëlënëse, në të cilën ka përfshirë gjithë jetën e saj me vështirësitë që i kanë dalë përpara si një grua e guximshme dhe e vendosur për t`i realizuar qëllimet e veta. Ajo ka arritur që me fuqinë e vullnetit të saj të kalojë pengesat, që nuk ishin të pakëta.
Është në veçanti interesant rrëfimi për shkollimin e saj: dëshirën që kishte pasur për të studiuar artin, ajo e ka realizuar plot 40 vite më vonë: në moshën 55-vjeçare, kur ajo më në fund ia del të studiojë artet pamore në Lucern, shkruan albinfo.ch.
Lidhur me ekspozitën dhe debatin, zonja Imeri ka falënderuar në veçanti përgjegjësen për kulturë në Diessenhofen, njëherësh drejtoreshë e muzeut, zonjën Lucia Cavegn, për angazhimin e saj në lidhje me këtë dhe aktivitetet e tjera.
Ajo e vlerëson po ashtu shumë kontributin e profesorit Sebastian Utzni (artist dhe pedagog në Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Lucernit, bashkëdrejtues i arsimit në fushë të arteve, në Lucern). Si profesor i artit, ai është shprehur se arti ka fuqinë të ndikojë, veç tjerash, te studentët, duke i nxitur ata të shprehin idetë dhe ndjenjat e tyre nëpërmjet artit dhe duke i bërë kështu ata të kërkojnë emancipimin dhe barazinë në botën e artit dhe me tej.
Më tutje Nexhibe Imeri thotë për albinfo.ch se qëllimi i saj me këtë aktivitet ishte të vejë në dukje se edhe vendet demokratike nuk e kanë barazinë e plotë gjinore dhe jo vetëm në vendet prej nga vijnë shqiptarët.
Duke marrë pjesë në panel, Marina Bruggmann (kryetare e PS për Thurgau dhe këshilltare kantonale) ka shtuar se debatimi i kësaj teme do të ndikojë pozitivisht në ndërmjetësimin dhe do të prodhojë ndryshime në lidhje me emancipimin dhe barazin gjinore në shoqëri.
Në vazhdim, pjesë nga një artikull i publikuar në Schafhauser Zeitung lidhur me debatin dhe ekspozitën.
Një panel diskutimi me temën “Roli i artit në emancipimin e gruas nën hijen e Kanunit” u zhvillua së fundmi në muzeun Kunst + Wissen. Ngjarja u organizua nga artistja pamore Nexhibe Imeri, e cila në pllakatin e saj kishte shkruar për të drejtat e barabarta të grave.
Rreth 40 të ftuar kishin ardhur në muze. Në panelin e debatit merrnin pjesë: Marina Bruggmann (kryetare e PS për Thurgau dhe këshilltare kantonale), Burim Ramaj (jurist), Sebastian Utzni (artist dhe pedagog në Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Lucernit) si dhe vetë artistja Nexhibe Imeri.
Në veçanti, ligjërata e jurisitit Burim Ramaj u dha vizitorëve një pasqyrë më të thellë të kulturës shqiptare. Ky aktivitet, përmes jetës së një gruaje energjike, ka shërbyer si shembull për të treguar sfidat me të cilat përballej ajo në trajtimin e zakoneve të vjetra të së drejtës kanunore shqiptare.
Me artin e saj, Nexhibe Imeri shpreson t’u japë zë të gjitha grave që po përpiqen të gjejnë një vend në komunitetet e tyre, ku zakonet dhe normat e vjetra i kanë kufizuar dhe ende i kufizojnë ato.
“Besoj me pasion se femrat kanë aftësi të jashtëzakonshme që mund të kontribuojnë në shumë mënyra në zhvillimin e shoqërisë sonë moderne”, thotë artistja, Nexhibe Imeri.
Juristi Burim Ramaj ka theksuar në fjalën e tij se rreth 400 mijë shqiptarët që jetojnë në Zvicër lëvizin mes poleve të Kanunit dhe shoqërisë civile të lirë dhe moderne të Zvicrës. Të jetosh në këtë dikotomi është veçanërisht sfiduese për gratë e reja. Bazuar në përvojat e saj personale, Nexhibe Imeri dëshiron t’i inkurajojë ato në veçanti.
Nexhibe Imeri ka lindur në vitin 1964 në një zonë shqiptare në Serbinë Jugore (Preshevë). Pastaj ajo ka përfunduar në Zvicër. Për shkak se ajo nuk lejohej të jetonte vetëm në një vend tjetër si e re, asaj i ishte dashur të martohej. Nga martesa lindi dy vajza. Pas divorcit, ajo ka luftuar e vetme me dy vajzat e saj për të drejta të barabarta për gratë – në vendin e saj, në diasporën shqiptare në Zvicër dhe në mbarë botën.
“Shpresoj se arti im do të ndihmojë për të hapur sytë, për të nxitur diskutimin dhe në fund të kontribuojë në krijimin e një shoqërie më të drejtë”, thekson Nexhibe Imeri.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve