Lajme

Rok bendi “Gillespie” nga Prishtina, koncerte në Gjermani

Rokerët nga Prishtina janë ftuar në Trier nga këshilli muzikor i landit Rheinland-Pfalz në kuadrin e bursës muzikore evropiane

Rok grupi i “Gillespie” nga Prishtina, i njohur për muzikën e tij underground do të japë një koncert të enjten në Trier të Gjermanisë. Në përbërje të grupit janë: Guri Shkodra (kitarë), Isah Mustafa (bass), Granit Havolli (bateri) dhe Hana Zeqa (soliste).

Gillespie është themeluar në vitin 2005 dhe ka ushtruar ndikim në shumë grupe tjera muzikore nga Kosova. Koncertet e tyre shpesh përmbyllen me improvizime në fushë të toneve të larta psikodelike.

Grupi nga Kosova, në Trier jep koncert së bashku me trion nga Trieri dhe Eifeli “Affinity Kit”, shkruan volksfreund.de. Rokerët nga Prishtina janë ftuar në Trier nga këshilli muzikor i landit Rheinland-Pfalz në kuadrin e bursës muzikore evropiane. Gillespie në Mainz dhe Ludwigshafen takohet edhe me grupe tjera vendore të rokut.

Koncertet që do t`i shfaqë bendi prishtinas promovojnë këmbimin në mes të muzikantëve të vendeve të ndryshme evropiane.