Fun

Rita Ora në ballinën e revistës austriake

Ajo nuk është vetëm këngëtarja më e popullarizuar shqiptare në botë, por është një nga yjet botërore të viteve të fundit. Këngëtarja Rita Ora së fundmi ka pozuar për revistën e njohur austriake “Woman”, ku përveç një intervistë me tri faqe, asaj i është rezervuar edhe ballina e numrit të fundit, njofton “albinfo.ch”.

Shkrimin për Ritën, revista austriake e titullon “Bota e Rita Orës, ndërkohë që thotë se ajo u zbulua që prej moshës 14 vjeçare. Prej asaj kohe, krahas muzikës, Rita është marrë edhe me modelim, aktrim ndërsa së fundmi tenton të provojë veten edhe si dizajnere.

“Woman”, e komplimenton Ritën për stilin e saj dhe dukjen, ndonëse ajo shpesh herë bën ndërrime në frizurë dhe paraqitje. E veçantë tjetër te ajo janë edhe tatutë e shumta në trupin e saj.

Në vazhdim revista shkruan se këngëtarja britanike me rrënjë shqiptare nuk është e njohur vetëm për hitet e shumta të saj muzikore, por ajo ka qenë edhe anëtare e jurisë në “The X Factor” dhe “The Voice”. Pastaj ka luajtur edhe si aktore në filmin “Fifty Shades of Grey”. Edhe si dizajnere ajo po mundohet të tregojë aftësitë e veta, përcjell “albinfo.ch”.

Rita, shkruan revista, prej kohësh është imazh i markës “Adidas” si dhe veshjeve të brendshme italiane “Tezenis”. Me këtë të fundit ajo ka bërë një bashkëpunim, si rezultat i të cilit, prej 1 nëntorit do të dalë në shitje koleksioni i përbashkët që ajo e ka bërë më firmën italiane.

“Dua t’i provoj të gjitha”, thotë 25 vjeçarja shqiptare.

Në pjesën më të madhe të intervistës, Rita flet për koleksionin e ri të saj. “Brendi im duhet të jetë për të gjitha numrat dhe format e trupit. Secila femër duhet të ndihet rehat në këto veshje”,  pohon ajo.

“Me Tezenis, kemi bashkëpunim që prej dy vite e gjysmë, kurse tash kemi bërë një koleksion të përbashkët dhe unë jam shumë e lumtur me rezultatet që kanë dalë”, tregon Rita.