Integrimi

Rinia e dhënë pas alkoolit

Rinia është pjesa më e re dhe më e ëmbël e jetës së njeriut, nëse ajo shijohet ashtu si duhet. Por, nëse ajo jepet pas veseve negative, atëherë vlerat e saj nënçmohen dashur e padashur, duke rënë nën mëshirën e dikujt tjetër.

Përveç disa shprehive të tjera negative të rinisë, sot një pjesë e madhe e saj është e dhënë pas alkoolit, që kërcënon dhe dëmton shëndetin dhe moralin njerëzor në përgjithësi. Si pasojë e përdorimit të tepruar të alkoolit shumica e njerëzve vuajnë nga kjo shprehi, e cila më vonë bëhet sëmundje që lë trashëgimi te brezat e ardhshëm me të meta psikike dhe organike.

Në shoqërinë bashkëkohore alkooli është njëra nga dukuritë më të përhapura sociale, pothuajse në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasysh zhvillimin e atij vendi. Shikuar historikisht, paraqitja e alkoolit daton shumë herët, qysh në kohët e lashta. Por, në Evropë alkooli vrullshëm është paraqitur në Francë, pas Revolucionit Francez, i cili e liroi fshatarin dhe i dha të drejtën e përpunimit të alkoolit në mënyrë të pavarur.

Shoqëria e sotme bashkëkohore alkoolin e percepton si sëmundje sociale, e cila paraqitet si rezultat i përdorimit të tepruar të pijeve alkoolike. Shkaqet e përdorimit të alkoolit janë të natyrës objektive dhe të asaj subjektive. Të natyrës objektive mund të jenë atëherë kur disa vise bujqësore janë të zhvilluara me pemë nga të cilat prodhohet alkooli. Ndërsa, në shkaqet e natyrës subjektive radhitën ata njerëz, të cilët përmes alkoolit mundohen të gjejnë zgjidhje të problemeve të natyrave të ndryshme sociale, ekonomike e familjare, por edhe si ëndje e kënaqësisë personale.

Mirëpo, nga përdorimi i tepërt i pijeve alkoolike, duke kaluar përmasat e kapaciteteve të kotrollit të trurit, njeriu i humb të gjitha të mirat e veta që i ka krijuar gjatë jetës, duke e humbur shpejt edhe jetën e vet. Askush nuk thotë se njeriu i ka zgjidhur të gjitha problemet e jetës, por përkundrazi, përdorimi i tepërt i alkoolit i shton ato, duke u bërë sëmundje e rëndë individuale dhe shoqërore, me pasoja negative, njëherësh duke e dobësuar mekanizmin e kontrollit mbi veten. Sipas të dhënave të shoqërive hulumtuese mbi alkoolin, pasojat më të rënda në shoqërinë bashkëkohore dhe shumë çrregullime familjare lindin shkaku i alkoolit.

Rinia e dhënë pas alkoolit

Alkooli sot përdoret me të madhe edhe nga të rinjtë, por edhe nga mosha jomadhore, e cila është një brengë shumë e madhe në shoqërinë tonë bashkëkohore dhe te ajo medicinale. Përdorimi i alkoolit nga rinia, sidomos në kohën e sotme, si mënyrë e shprehjes për t’i kënaqur nevojat momentale dhe ëndjet e tyre, duke mos llogaritur fare pasojat eventuale që rrjedhin në jetën e përditshme. Sipas kriminologëve dhe të dhënave të shoqërive hulumtuese, për pasojat e alkoolit te rinia e sotme, secilën ditë e më shumë po rriten skandalet dhe mënyrat e veprimeve negative të rinisë së alkoolizuar. P

asojat e alkoolit pasqyrohen edhe në veprimet e fatkeqësive të ndryshme të komunikacionit, duke u shtuar për ditë e më shumë. Njeriu si qenie njerëzore ka mundësi vetë ta ndalojë përdorimin e tepruar të alkoolit, sidomos rinia duhet ta frenojë veten pa shkuar te më e keqja, apo shkatërrimi i ndërgjegjes së vet. Në çdo rreth bashkëkohor, sidomos në dreka apo darka, alkooli është çelësi i apetiteve të gjellërave, njëherësh e rrit harmoninë në mes të njerëzve aq shumë, mirëpo kur teprohet, e dyfishon humbjen e rendit dhe rrethit shoqëror dhe njëkohësisht e humb respektin individual e shoqëror në tërësi. Alkooli si dukuri negative është përvetësuar edhe nga rinia shqiptare, si shprehi në ahengje të ndryshme, duke e konsumuar me të madhe dhe në mënyra individuale, e cila dukuri nuk mund të ndahet lehtë pa pasoja.

Cilat janë shkaqet apo arsyet që e çojnë dhe e nxisin rininë dhe jomadhorin të bëhet alkoolist ?

Të bëhesh alkoolist do të thotë të dehësh mendjen tënde dhe arsyen, duke shkatërruar organizmin tënd, familjen dhe rrethin shoqëror. Shkaqet apo arsyet e rinisë për përdorimin e alkoolit janë të natyrave të ndryshme… Shumica e të rinjve e shohin alkooolin si mënyrë për t’u argëtuar, apo për t’i harruar problemet që kanë në jetën e tyre. Disa të rinj alkoolin e përdorin si zgjidhje e problemeve sociale, sikur janë varfëria, mungesa e vendeve të punës, mjedisi shoqëror, dashuria dhe shumë arsye të tjera personale. Kështu që shumë të rinj, por edhe të moshave jomadhore, të shoqëruar dalin nëpër lokale të natës, apo gjetiu dhe konsumojnë alkool tërë kohën, duke mos llogaritur pasojat që rrjedhin, sidomos ata që marrin rrugë me makina.

Institucionet e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Arsimit, nuk e ka infrastrukturën e duhur për zbatimin e lëndëve që t’u afrojë nxënësve të tyre mundësi për të zhvilluar personalitetin në baza edukative brenda shkollës dhe në këtë mënyrë rinia dhe nxënësit, në mungesë të kushteve joshet më shumë nëpër lokale të padëshirueshme dhe pas alkoolit.

Ndërsa, në Zvicërr, edhe në shumë vende perëndimore, konsumimi i alkoolit nga të rinjtë është një shprehi e madhe dhe shumë e diskutueshme, sidomos kur bëhet fjalë për moshën 16-18 vjeçare. Edhe pse infrakstruktura e tyre është në nivele të larta bashkëkohore, edhe pse institucionet e tyre investojnë për parandalimin e këtyre shprehive, duke ndaluar në çdo shitore të pijeve shitjen e alkoolit për ata nën moshën 18-vjeçare, edhe pse në gjitha lokaleve e natës u ndalohet hyrja dhe përdorimi i pijeve alkoolike të këtyre moshave jomadhore dhe shumë ligje të tjera janë të pranishme dhe të aplikueshme për parandalimin e alkoolit, drogës dhe shumë shprehive të tjera negative. Shumë njerëz të moshës së re vuajnë nga pasojat e lidhura me alkoolin. Është e trishtueshme të shohësh se si mjekët përpiqen t’i shërojnë këta njerëz të varur nga shishet e alkoolit, të cilët kanë probleme fizike e psikike, të cilëve u shkatërrohet jeta përditë.

Në botë aplikohen strategji të ndryshme për ta luftuar këtë dukuri nga të rinjtë, mirëpo në anën tjetër, harxhohen të holla të mëdha nga firmat e ndryshme të alkoolit dhe të duhanit, të cilat investojnë në prodhimin dhe reklamimin e tyre.

Edukata prindore dhe ajo shkollore janë masat më efektive për parandalimin e alkoolit.

Për shembull, po japim një ilustrim. Në qoftë se njëri apo të dy prindërit janë të dhënë pas alkoolit, apo nëse prindërit e fëmijës janë pijanecë të mëdhenj dhe njëri prej tyre e rrah fëmijën e vet pa arsye, jo vetëm një herë, por disa herë me radhë, atëherë duhet t’ia bëjmë pytjen vetes se në çfarë gjendje vjen ai fëmijë? Në këtë gjendje fëmija gjendet në një situatë shumë të vështirë, e cila mund të quhet e padëshirueshme, sepse fëmija tani e ka një jetë të pakontrolluar, nga se i mungon këshilla dhe edukata prindore, ndërsa prindi e ka humbur moralin si edukator në familjen e vet. Do të thotë se prindi është çelësi kryesor me të cilin e hap portën fëmija, për t’i bërë hapat e parë të jetës së vet dhe përcjellja e tij deri te mosha madhore. Prandaj, rolin kryesor te të rinjtë duhet ta bartin prindërit dhe mandej institucionet edukative shkollore. Prindërit, të cilët u kushtojnë kujdes dhe kohë fëmijëve të tyre dhe moshës adoleshente e madhore në jetën e përditshme, me siguri që do të jenë prindërit më fatlum në botë, sepse puna, kujdesi dhe përkushtimi i tyre edukativ rezulton në frytet e tyre të lumtura. Komunikimi i përditshëm si dhe përcjellja e relacionit shtëpi-shkollë-shtëpi janë mënyrat më efektive që e vlerësojnë jetën e fëmijëve dhe rinisë në përgjithësi.

Rol të veçantë te rinia luajnë edhe institucionet shkollore

Sot shumicën e të rinjve në shkolla i shikon me cigare në gojë, disa merren me përdorimin e alkooolit, por ka edhe prej tyre që merren me përdorimin e narkotikëve. Shkolla si institucioni më i lartë edukativo-arsimor këto shprehi negative i sheh te rinia. Pse, secili që ka ndërgjegje duhet ta bëjë këtë pyetje? Apo, ndoshta këtu mësojnë të kundërtën e edukatës së përgjithshme, apo këtu mësojnë vetëm sa për të kryer detyrimet e tyre, mësuesit dhe arsimtarët e shkollave, apo mungon konstruktiviteti i plan-programeve shkollore që ka të bëjë me edukatën si preventivë kryesore për parandalimin e shprehive negative te fëmijët dhe mosha e tyre madhore, te të rinjtë. Nëse rinia nuk ka përkujdesje prindore dhe shkollore për parandalimin e këtyre shprehive negative, me siguri që të rinjtë do të joshen edhe pas duhanit, edhe pas alkoolit, por me siguri edhe pas përdorimit të narkotikëve të ndryshëm, me ç’rast ardhmëria e tyre do të mbetët e dëshpëruar dhe e robëruar, kur problemet do të jenë prezentë në çdo hap të jetës së tyre.