Lajme

Rihapet edhe një pikë e përkohshme kufitare Zvicër-Itali

Kalimi i këtyre pikave kufitare është i mundur vetëm për personat me pasaportë zvicerane dhe për të huajt me qëndrim të rregullt në Zvicër ose me leje pune këtu

Drejtoria Federale e Administrimit të Doganave ka vendosur hapjen e përkohshme edhe të një vendkalimi kufitar në mes të Zvicrës dhe Italisë, në Kantonin Tiçino. Ky vendim është marrë në konsultim me autoritetet kantonale dhe me ato të italisë, shkruan sda.ch.

Bëhet fjalë për pikën kufitare Brusata die Novazzano.

Hapja është bërë për të lehtësuar qarkullimin e punëtorëve italianë që punojnë në Zvicër dhe kthehen për çdo ditë në shtëpi në itali, transmeton albinfo.ch.

Vendkalimi kufitar në fjalë është hapur sot. Ai qëndron i hapur nga ora 05.00 e mëngjesit deri në orën 09.00 të mëngjesit si dhe nga ora 16.00 e pasdites deri në orën 20.00 të mbrëmjes.

Një vendkalim tjetër, (Dirinella) është hapur që nga e enjtja e javës së kaluar dhe është në funksion në periudhat e njëjta ditore.

Administrata Federale e Doganave tërheq vërejtjen se kalimi i këtyre pikave kufitare është i mundur vetëm për personat me pasaportë zvicerane dhe për të huajt me qëndrim të rregullt në Zvicër ose me leje pune këtu.

Përveç dy vendkalimeve të përmendura, në Kantonin e Tiçinos vazhdojnë të mbahen të hapura edhe vendkalimet tjera si: Chiasso, Madonna di Ponte, Ponte Tresa dhe Stabio, përcjell albinfo.ch. Ndërsa kufizimet kohore vlejnë vetëm për pikat kufitare Dirinella dhe Brusata di Novazzano.