Kosova

Rifat Latifi mban ligjëratë në Universitetin e Cyrihut, flet për përvojën e tij në mjekësi e politikë

Kryetari Themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ish- Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, mbajti një  prezantim në Universitetin e Cyrihut.

Në prezantimin e tij, para shumë pjesëmarrësve, ai dha disa shembuj të mjekëve si politikanë dhe rezultatet e mandatit të tij të shkurtër si Ministër i Shëndetësisë së Kosovës:

“Në nëntor të vitit 2021 papritmas e lashë një punë madhore akademike dhe administrative në një nga spitalet dhe universitetet kryesore të SHBA-së, për t’u bërë Ministër në Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, si “Ministër nga sektori i shëndetësisë”, jo nga një parti politike. Të jesh Ministër i Shëndetësisë, i çdo vendi, është nderi dhe privilegji më i madh, por të jesh Ministër i Shëndetësisë i shtetit më të ri në Evropë, Kosovës, ku jam rritur, jam shkolluar dhe pastaj jam larguar në SHBA për një jetë më të mirë, është krejt diçka tjetër”, tha Latifi, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, sipas tij, kjo është përgjegjësia më e madhe që dikush mund ta ketë.

“Si përgatitet dikush për të qenë Ministër i Shëndetësisë? Çfarë mjetesh keni në dispozicion dhe për cfarë të tjera keni nevojë që do t’ju ndihmojnë të transformoni një sistem shëndetësor, i cili është në rrëmujë? Epo, keni investuar shumë dekada të jetës suaj për të bërë gati, keni krijuar një vizion dhe mision të qartë. Pra, tani gjithçka që ju duhet janë financat dhe angazhimi i të gjithëve, gjersa ju nevojitet edhe shumë përkrahje në luftën kundër korrupsionit të ngulitur në çdo shtresë të sistemit të kujdesit shëndetësor.”, theksoi mes tjerash Latifi.

Ai foli edhe rëndësinë e diplomacisë mjekësore.

“Po diplomacia mjekësore si mjet që nuk është përdorur në të kaluarën në Kosovë? A është e dobishme? Sigurisht që është! Diplomacia mjekësore ka qenë e njohur për dekada, por në mjedisin aktual global, kur bota nuk ka qenë kurrë më e sheshtë, diplomacia mjekësore nuk ka qenë kurrë më e domosdoshme në trajtimin e problemit të pabarazisë së kujdesit shëndetësor”, theksoi ai.

Në këtë këndvështrim, Latifi, diskutoi edhe për mandatin e tij si Ministër i Shëndetësisë dhe se si gjatë asaj kohe krijoi një model të transformimit të shëndetësisë në Kosovë përmes diplomacisë mjekësore, për të zbutur pabarazinë shëndetësore.

“Kësisoj, ne projektuam një proces për krijimin e dymbëdhjetë (12) qendrave klinike të ekselencës (CCE), 22 sub-specializimeve klinike të avancuara (ACF) që do të trajnojnë (gjatë viteve 2022-2024) rreth 100 mjekë dhe kirurgë në qendrat ndërkombëtare të ekselencës, shumica e të cilave ishin siguruar përmes diplomacisë mjekësore. Njëkohësisht, diplomacia mjekësore po përdorej për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës spitalore dhe infrastrukturës së pajisjeve mjekësore”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, pyetja më e madhe është: “a isha gati të bëhesha Ministër i Shëndetësisë? Çfarë më përgatiti, nëse ka ndonjë gjë, për këtë punë? Sigurisht: Unë jam gati, mendova. Shumë gjëra që bëra gjatë karrierës sime më përgatitën për këtë. Epo, të paktën, shpresoja.”

“Një pyetje e madhe qëndronte ende mbi mua. Pse do të përfshihesha në politikë? A nuk më kanë mjaftuar tashmë politikat e akademisë dhe spitaleve në SHBA. Tani Ballkani. Kosova. A do të isha në gjendje të bëja një ndryshim? A duhet të përfshihem si kirurg në politikën e vendit më të ri në Evropë? Pyetja edhe më e madhe: Kush dhe pse do ta bënte këtë në ndonjë mënyrë?!”, theksoi mes tjerash në prezantimin e tij Prof. Dr. Latifi në Universitetin e Cyrihut.