Kosova

Riatdhesohen 147 shtetas kosovarë nga Gjermania

Ka kërkesa edhe nga qindra shtetas për kthim

Është bërë e ditur se sot nga Aeroporti i Stuttgartit me organizimin e Ambasadës së Kosovës në Berlin dhe Konsullatave tona të Përgjithshme në Frankfurt, Düsseldorf, Hamburg, Munih dhe Stuttgart janë riatdhesuar edhe 147 shtetas të Republikës së Kosovës nga të gjitha landet e Gjermanisë, shkruan albinfo.ch.

Duhet theksuar se deri më sot Misioni Diplomatik i Kosovës në Gjermani si pasojë e mbylljes së kufijve nga Covid 19 në bashkëpunim me institucionet në Kosovë ka arritur të riatdhesojë mbi 360 shtetas – raste emergjente dhe me nevoja të posaçme.

Ky riatdhesim ka ardhur falë bashkëpunimit me Qendrat Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshmme, Ministrisë së Infrastrukturës dhe sidomos Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Nga ana tjetër, ka kërkesa edhe nga qindra shtetas për kthim. Është duke u punuar që të koordinohen dhe riatdhesohen të gjithë ata që kanë raste urgjente- në koordinim dhe me aprovim të Qendrave emergjente në Prishtinë.

Askush nuk do të penalizohet pse i skadon viza në Gjermani. Deri më 30 qershor vizat janë valide pa pasur nevojë për vazhdimin e tyre! /Albinfo.ch