Portrete të firmave

Rexhaj Floor: „Një ëndërr që kurrë nuk u shua“

E ndërtuar mbi një traditë që kapë tre breza."Rexhaj Floor" është kompani shqiptare që merret me rregullimin e dyshemeve, e që ka më shumë se një dekadë që është konkurrente në tregun austriak. Me qëllim që t`u plotësojnë dëshirat konsumatorëve, "Rexhaj Floor" bën rregullimin e dyshemeve të dizajneve të lloj-llojshme

“Rexhaj Floor”, biznes me traditë shumëvjeçare në Austri

Qemajl Rexhaj është themelues i kompanisë “Rexhaj Floor” që gjendet në Rottenmann, në Steiermark të Austrisë. Kompania u themelua në vitin 2010, por traditën e kishte nisur pikërisht babai i tij.

Qëkur Qemajli kishte lënë Shtimen dhe kishte dalë nga Kosova në vitet `90-a, ai ishte marrë me rregullimin e dyshemeve, punë që ia kishte mësuar babai, i cili atë kohë punonte në Gjermani.

“Arsyeja pse migrova në Gjermani ishte se atje kisha babanë tim, i cili më punësoi në firmën ku punonte edhe ai, me dysheme industriale. Firma quhej „Rinoll“ dhe ishte shumë e madhe, me renome botërore. Aty mora hapat e parë të këtij profesioni, të cilin e punoj edhe sot. Kam menduar qysh atëherë të punoja si i pavarur, por disa rrethana nuk më lejonin akoma të merrja këtë hap. Mirëpo, kisha shumë besim në vete dhe kisha një ëndërr që kurrë nuk u shua. Një pjesë e firmës „Rinoll“ u transferua në Austri, pikërisht në këtë qytet ku tash jetoj dhe punoj. Bashkë me një pjesë të stafit, më transferuan edhe mua”, thotë Qemajli.

Tutje, ai tregon se motivuesit kryesorë për të hapur kompaninë e tij ishin bashkëshortja dhe fëmijët.

“Më 2010, edhe falë bashkëshortes, fëmijëve, të cilët ishin shumë të rinj, u motivova që të hapim firmën tonë këtu dhe të punojmë të pavarur deri në vitin 2015, kur kalova në SH.P.K. Sot “Rexhaj Floor” është një firmë e njohur dhe punojmë në gjithë Austrinë. Kompania jonë synon të jemi sa më të përpiktë e më të sinqertë me klientët. Mbi të gjitha, synojmë cilësinë e punës, andaj edhe sukseset nuk mungojnë, ka thënë ai.

Kalaja Epox

Falë babait, biznes edhe në Kosovë

Ishin ende vitet e `90-ta kur Qemajli mendonte të kthehej në Kosovë. Megjithatë, kjo nuk ndodhi për shkak të gjendjes së luftës që po ndodhte në Kosovë, gjatë vitit 1999.

Në vitin 1994 mora familjen në Austri, por me synim që një ditë të kthehem në atdheun tim. Punoja shumë, fitoja, por gjithmonë kisha qëllimin që një ditë të investoj në Kosovë. Megjithatë; lufta na ktheu prapa dhe dëshira për t’u kthyer atje mbeti vetëm dëshirë”, ka thënë Qemajli.

Por, tashmë familja Rexhaj ka edhe kompaninë e Epox -it në Kosovë që funksionon në tri qendra.

“Vëllai i im tashmë i ndjerë, Sylejmani, edhe pse ishte pak kohë në Austri, vendosi të kthehej në Kosovë dhe atje hapi firmën “Kalaja Epox”. Firma punon edhe sot dhe është një nga firmat më të suksesshme për Epox në Kosovë. E gjithë kjo u bë falë ndihmës së babait, me ndihmën time dhe të dy vëllezërve të mi në Kosovë, ne sot punojmë në tri qendra  me Epox-te”, shprehet Qemajli, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Rrjetit të Bizneseve për rajonin Steiermark.

Qemajl Rexha, me familje

Pasuria më e madhe, familja

Për Qemajl Rexhajn, pasuria më e madhe është familja, e cila përbëhet nga bashkëshortja, tre fëmijët, e po ashtu edhe nga nusja e djalit dhe dy nipërit.

Megjithëse kanë shumë vite që janë në Austri, fëmijët e Qemajlit kanë ruajtur gjuhën dhe traditën shqiptare. Kurse, ai për këtë falënderon gruan e tij.

“Kam tre fëmijë, si tre engjëj. Misini, djali i madh, sot udhëheq firmën së bashku me mua, ka interes dhe ambicie të ecë firma përpara. Marigona, vajza, e ka të kryer Fakultetin Ekonomik për mbrojtjen e ambientit, tani punon për Partinë e Gjelbër në Graz, dhe djali tjetër, Maltrimi, ka të kryer shkollimin për HTL dhe punon në firmën AHT Projektmanagment. Bashkëshortja Selvetja ka një biznes të vogël të patundshmërisë dhe punon në firmën “Rexhaj Floor”. Nuk dua të harroj edhe nusen e djalit, Marigonën dhe nipat Loriku dhe Lorisin. Sa herë gjej pak kohë të lirë, e kaloj me ta. Si familje jemi mjaft të integruar në vendin ku jetojmë, por asnjëherë të asimiluar. Bashkëshortja më shumë punon në këtë drejtim për të mos harruar gjuhën, kulturën, dhe traditat tona”, ka thënë ai.

Duke qenë falënderues për të gjitha ato që kanë arritur, familja Rexhaj gjithmonë solidarizohet me njerëzit në nevojë, sepse kjo gjë i bën akoma më të pasur në shpirt, fundja “solidariteti nuk është ajo çfarë tepron, por e ndan me të tjerët atë çfarë ke për vete”. Këtë më së miri e ka dëshmuar dhe vazhdon ta dëshmojë familja Rexhaj. Krahas asaj që u tha më lart, në familjen Rexhaj janë ruajtur gjuha, kultura dhe tradita shqiptare. E meritën për këtë, sipas Qemajl Rexhës, i ka bashkëshortja e tij, të cilën e falënderon shumë.

Megjithëse kanë shumë vite që jetojnë në Austri, me orare të zgjatura pune, agjenda të ngjeshura ditore, familja Rexhaj ka ruajtur raporte të shëndosha familjare dhe miqësore. Ata shumë shpesh vizitojnë atdheun e tyre, por edhe vende të tjera të ndryshme të botës, duke kaluar kështu kohë të gjatë së bashku. Pra, familja Rexhaj vlerësohet nga të tjerët si shembull i një familjeje, të cilën duhet ndjekur.

box

Çka ofron kompania?

Kompania bën veshjen e dyshemesë, veshje me rërë dhe me ngjyra, veshje gradient, qilim prej guri natyror etj.

“Rexhaj Floor” bën gjithashtu rregullimin e murit dhe tavanit me dizajne kreative për hapësira të brendshme private, për ambiente të restoranteve, kafeneve etj.

Për të mësuar më shumë, mund të informoheni në webfaqen:
https://www.rexhajfloor.at/unternehmen