Shqipëria

Reuters: Kuçova kthehet në bazë të NATO-s

Agjencia e lajmeve, Reuters, i ka kushtuar një artikull Shqipërisë, ku tregon se si një komunë e saj do të shndërrohet në një pikë të rëndësishme ushtarake të vendeve perëndimore.

Shkrimi fillon duke treguar se si një bazë e fuqishme ajrore jashtë përdorimit në Shqipëri, tani do të shndërrohet në një bazë të NATO-s, kështu duke iu mundësuar ish-pilotëve shqiptarë të dëgjojnë sërish zhurmat e avionëve.

Shqipëria i nxori jashtë përdorimit 224 MiG-të e prodhuar nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina në vitin 2005 shkruan Reuters, dhe tregon se që nga viti 2009, Italia dhe Greqia si anëtare të NATO-s, monitorojnë hapësirën e saj ajrore.

“Kjo bazë është gjurma e parë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, pasi kjo do ta transformojë Kuçovën në bazën e parë ajrore të NATO-s në rajon”, ka thënë për Reuters, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

“NATO do të shpenzojë mbi 50 milionë euro në fazën e parë të punës për ta kthyer Kuçovën në një bazë mbështetëse për furnizime, logjistikë, trajnim dhe stërvitje. Rajoni në tërësi ka hyrë në një proces të pakthyeshëm të integrimit Euro-Atlantik”, ka shtuar ajo.