Zhvillim
Retorika properëndimore nuk i bën shqiptarët evropianë
Në fjalimet e tyre në të quajturën konferencë ndërkombëtare “Germia Hil”, liderët shqiptarë renditën një sërë “argumentesh” që duhet cilësuar me keqardhje joserioze për ta shpjeguar rritjen e radikalizmit apo ekstremizmit fetar si dhe prezencën e Rusisë në rajon.
Së pari, sipas Hashim Thaçit, hezitimi i Brukselit që ta trajtojë dhe ta pranojë Kosovën sikurse vendet e tjera bart rrezikun e rritjes së influencës nga Rusia dhe të vendeve të përfshira nga organizatat terroriste. Është fakt se mosinteresimi i mjaftueshëm ndaj Kosovës dhe Ballkanit dhe qëndrimi i shtrënguar i Brukselit ndaj Kosovës bart pasoja të ndryshme gjeopolitike. Mirëpo, mostrajtimi i Kosovës si vendet e tjera nuk i shpjegon rreziqet në fjalë dhe se “mollën e sherrit” duhet kërkuar brenda, dhe jo jashtë. Dukuritë negative në fjalë manifestohen pikërisht aty ku dështon shteti, sepse organizatat formale apo joformale në fjalë zëvendësojnë funksionet regaliane të shtetit. Po ta marrim shembullin e ekstremizmit fetar, të mos harrojmë se organizatat humanitare me bazë politiko-fetare e kanë mbjellë helmin e tyre veçanërisht në zonat periferike të varfra të Kosovës, të lëna anash, dhe atë me komplicitetin e pushtetit vendës dhe të asaj kohe të OKB-së. Madje, rritja politike dhe shpërthimi në opinion i këtyre lëvizjeve shpjegohet po ashtu me humbjen e legjitimitetit dhe besimit të pushtetit dhe partive politike në sy të popullatës. Mirëpo, fatmirësisht, edhe pse në kushte të varfërisë ekstreme, shqiptarët kanë në traditën e tyre historike një filozofi fetare-kulturore islamike akomoduese dhe trashësia e saj e ka penguar pikërisht ngritjen në fuqi të kësaj nëntoke. Ajo, pra, nuk është meritë e vendimmarrësve politikë shqiptarë dhe masava të tyre spektakulare represive, por e maturisë popullore dhe orientimit historik të saj properëndimor.
Së dyti, pohimi, në suaza të këtij meshlisi, të kryeministrit Isa Mustafa se zbritja e numrit të azilkërkuesve është meritë e qeverisë kosovare, është iritues. Duhet kujtuar faktin se kur u shtrënguan kufijtë dhe u morën masa kundër hemarrogjisë së kosovarëve që braktisnin vendin, atëherë veçse mbi 10% e popullatës e kishte lëshuar Kosovën dhe atë pa pikë pengesash për kalimin e kufijve evropianë! Veç kësaj, rënia e azilkërkuesve kosovarë nuk është rezultat i ndonjë politikëbërje të tyre, por thjesht, të riatdhesimit të tyre nga vendet evropiane që nuk hyjnë më në lëmin e azilit për kosovarët dhe që kanë nevojë për vend karshi valës së madhe të refugjatëve sirianë.
Së fundmi, në evenimentin e Gërmisë ministrja shqiptare, Mimi Kodheli, kishte shumë arsye të pohonte se përcaktimi proevropian i Kosovës dhe i rajonit mund të shihen si pengesa për Moskën apo edhe grupet radikale. Mirëpo, gjeografia evropiane dhe përcaktimi properëndimor nuk mjafton aspak, sepse situata socio-ekonomike dhe lodhja e popullatës në pritje të ndryshimit mund ta ndërrojë këtë realitet. Retorika properëndimore nuk i bën shqiptarët evropianë, por evropianizimi i mirëfilltë social, ekonomik, politik e kulturor. Kjo bëhet nëpërmes etablimit dhe menagjimit transparent të shtetit, përmes stabilizimit të institucioneve demokratike, përmes dhënies së fuqisë vendimmarrëse popullit dhe shoqërisë civile, përmes pavarësisë së gjyqësisë, përmes garantimit të pronës private si dhe ndërtimit të mekanizmave socialë të mirëfilltë, nëpërmes politikave inovuese dhe investimit masiv në arsim, nëpërmes ndërtimit të infrastrukturave kritike dhe menagjimit harmonioz të resurseve natyrore.
Po lëvizëm në këtë drejtim, pa marrë parasysh konjonkturat e Unionit Evropian që mund të jenë nganjëherë jokoherente, Evropa do ta ndryshojë kursin karshi nesh. Vetëm kështu shqiptarët mund t’i frenojnë fenomenet politike, sociale apo fetare të lartpërmendura dhe të identifikohen si evropianë.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?