Integrimi
Retorika e integrimit
Dy episode gjatë 2013 u bënë shkas për të shkruar këtë artikull si reflektim mbi problematikat e integrimit. Ndër temat më të debatuara por shpesh të njëkahshme
Ekipi kombëtar i futbollit të Zvicrës duke fituar në Shqipëri, vulosi edhe kualifikimin e tij në turneun për kupën e botës Brazil 2014. Në përbërje të këtij ekipi janë gjashtë lojtarë shqiptarë disa prej të cilëve edhe protagonistët kryesorë të suksesit të kësaj skuadre. Edhe pse çështja e përfshirjes së tyre në ekipin e Zvicrës ka ngjallur debate të ndryshme, këta djem dëshmojnë të jenë simbole të integrimit.
Në anën tjetër, një kasiere e një supermerkate, për çudi tërhoqi kureshtjen time ngaqë flokët i mbante të lëshuara në anë të majtë ku zakonisht gjendet mbiemri mbi badge. Me një frëngjishte perfekte dhe me mirësjellje të dalluar komunikonte dhe shërbente klientët. Kur ajo kthehet të marrë një paketë cigare për një klient në raftet që ndodheshin pas shpinës së saj, iu duk mbiemri. Znj. X kishte një mbiemër që prej nga origjina ishte i huaj. Një dëshmi tjetër integrimi por në këtë rast mbart një kompleks apo ndjenjë inferioriteti të mundshëm nga mbiemri.
Pa dashur të justifikojmë aktin e saj me ekzistencën e mundshme të një lloj kompleksi, atë çfarë dëshirojmë të kuptojmë është nëse mbiemri mund të provokojë njëfarë paragjykimi apo stereotipi. Në lidhje me këtë çështje kujtojmë temën e debatuar nga emisioni Temps présent i RTS nën titullin “Pour trouver un job, changez de nom” i datës 10 tetor 2013. Personat e intervistuar, të huajt e natyralizuar dhe me kualifikim superior, ishin të papunë ngaqë resurset humane të firmave ushqenin paragjykimin se prejardhja e tyre (nga mbiemri) është sinonim i kompetencave të pamjaftueshme.
Ndërkaq, në studimet teorike lidhur me organizational behavior analizohen firmat e biznesit, aktivitetet e të cilave janë internacionalizuar. Këtu tregohet që futja në organikën e këtyre firmave të punonjësve me kulturë të ndryshme shihet si avantazh. Në këtë mënyrë diversifikimi i personelit shihet si stimulim i kreativitetit që kontribuon në mënyrë direkte në efikasitetin e firmës.
Imigrantët e gjeneratës së parë nuk e kishin aq të vështirë të punësoheshin për arsye se tregu i punës kishte mungesë në disa sektorë. Ndarja dhe oferta e punës sipas nevojave të vendit pritës përbënte një lloj diferencimi klasash sociale ku edhe çështja e integrimit shtrohej me një kujdes të posaçëm. Kur gjenerata e dytë, e shkolluar dhe me profesion të mirëfilltë, tenton të hyjë në tregun e punës, vështirësitë janë të një lloji tjetër: të tipit rival. Shpesh në debatet publike në media dhe në opinionet e disa individëve, flitet akoma me të njëjtat terma duke përzier kategoritë e referencave, madje në disa raste deri në ngatërrimin e konceptit të integrimit me atë të asimilimit. Dhe kur rivaliteti përkthehet sipas kësaj skeme, atëherë ky fakt mund edhe të penalizojë punëkërkuesit si në rastin e emisionit në fjalë të paraqitur nga Temps présent.
Por le të kthehemi dhe të flasim me termat e integrimit; Çfarë është integrimi? Eshtë punonjësi i supermeraktës më pak i integruar se lojtarët e përfaqësueses së Zvicrës? A duhet të kesh një talent për të rezultuar i integruar ?
Integrimi në këndvështrimin sociologjik, është afrim i personave ose i një individi brenda një grupi shoqëror të cilët nuk janë inseruar në mënyrë komplete në shoqërinë e vendit pritës. Elementët që duhen të merren në shqyrtim për të folur mbi temën e integrimit janë nga njëra anë institucionet e ndryshme, shoqëria e vendit pritës dhe nga ana tjetër të huajt. Pra që të flasim për një integrim sa më efikas duhet që njëkohësisht shoqëria të jetë elastike përballë integrimit dhe të huajt të jenë të predispozuar për tu integruar.
Në të dy shembujt që sollëm ne fillim kemi të bëjmë me persona të integruar por me dallimin që rasti i futbollistëve i përket njëlloj kalibri të veçantë kurse rasti i kasieres përbën normalitetin. Gjithsesi ky lloj normaliteti jo rrallë herë të lë përshtypjen e një ndjenjë të qenit në “provë” dhe mbart në vetvete një “krizë” identiteti ose dyshimin mbi të qënit i integruar apo jo. Përderisa normaliteti përcakton konformitet, kthehet në zakon dhe mbi të gjitha nuk tërheq vëmendjen, shpesh integrimi mund të marrë formën e një “barre placée très haute”.
Në çdo sistem, sidomos ne atë ekonomik, konkurrenca pa limit ka tendencë të anashkalojë normalitetin. Kur kërkesat rriten në funksion të objektivave që janë gjithnjë në spostim drejt maksimales, individi ka ndjesinë e paaftësisë, të pafuqisë ose të devalorizimit sepse ajo që bën apo që prodhon duket që është gjithmonë e pamjaftueshme përballë ripërtëritjes së ekzigjencave. Talenti, i cili nuk ka konkurrencë në fushën e tij, jo vetëm që gjen hapësirat e duhura më kollaj por përbën në rastin konkret edhe shembullin e integrimit perfekt.
Së fundmi integrimi do të thotë edhe socializëm, por këtu ka një lloj tjetër paradoksi: që shoqëritë postmoderne karakterizohen nga individualizmi. Kjo sepse sa më shumë ekzigjencat janë të larta aq më shumë ka tendencë për individualizëm. Dhe jo vetëm kjo. Problemet sociale të shoqërive kontemporane janë familja(-divorcet), shkolla(-dhuna, toxicomania), feja (-sekularizimi), mediat (- diversion) etj. Pra institucionet kryesore të edukimit të cilat transmetojnë vlerat e shoqërisë janë në krizë. Artikujt në vijim do të merren me analizën e këtyre faktorëve në raport me çështjet e integrimit.
Dritan Mustafaj
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës