Restoranti “Stable”, një copëz Zvicre në zemër të kryeqytetit amerikan, po përjeton valë tronditëse ekonomike mes tarifave të administratës Trump dhe pasigurive të shkaktuara nga goditjet në tregun e punës, të ndikuara nga Elon Musk dhe Departamenti i tij i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).
Silvan Krämer, menaxheri i lokalit dhe një nga zërat më të zëshëm të kuzhinës zvicerane në SHBA, shprehet i shqetësuar për të ardhmen. “Disa furnizues kanë njoftuar tashmë rritje prej 15 deri në 20%. Pyetja është: për sa kohë do ta përballojmë këtë?” – deklaroi ai për RTS.
Gjysma e përbërësve të përdorur në restorant importohen direkt nga Zvicra, duke e bërë restorantin veçanërisht të ndjeshëm ndaj tarifave doganore. Krahas rritjes së çmimeve të produkteve, rënia e fuqisë blerëse në qytet po lë pasoja të dukshme në industrinë e restoranteve, përcjell albinfo.ch.
“Shumë njerëz që punonin për qeverinë këtu janë pushuar nga puna, dhe të tjerë nuk e dinë nëse do ta humbasin vendin e tyre. Njerëzit janë më të kujdesshëm, shpenzojnë më pak dhe hanë më pak jashtë,” – thotë Krämer. Sipas tij, tre muajt e parë të këtij viti kanë sjellë një rënie të përgjithshme të konsumit në të gjitha restorantet e kryeqytetit amerikan, krahasuar me vitin e kaluar, shkruan RTS.
Në këtë kontekst të brishtë, menaxheri shpreson në ndërhyrjen e Këshillit Federal të Zvicrës, duke sugjeruar nevojën për negociata të reja për tarifa doganore më të favorshme, për të ruajtur vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e bizneseve zvicerane në tregje të ndjeshme si ai amerikan, transmeton albinfo.ch.