Integrimi
Restoranti me meny shqip, për të gjitha shqisat!
“Synimi im: kuzhinën shqiptare ta prezantoj përtej klishesë `qebapë dhe byrekë`”, thotë Ismajli, pronar i restorantit shqiptar në Dietikon
Një diplomat i një shteti perëndimor, që merrte vesh edhe nga arti i kuzhinës, deri sa po shërbente në Prishtinë, ua kishte hequr “kasavetin” miqve të tij shqiptarë, për “mungesën e një “kuzhine shqiptare” autentike. Shkolla kuzhinierie në atë kuptim, kishte shkruar ai, nuk kanë as shumica e kombeve të mëdha, as gjermanët, kështu që shqiptarët nuk kanë përse të kompleksohen për një mungesë të tillë.
Por, megjithatë, shqiptarët, të gjendur në “kazanin” e shkrirjes së ndikimeve të kuzhinave gjithfarëshe – ballkanike, orientale, kontinentale, mesdhetare – kanë mjaft elemente që veçohen, që kanë atë që mund të quhet “brend” shqiptar. Për këtë ka qenë i bindur prej kohësh Ismajl Murati, njeriu i rryer në menaxhimin e restoranteve të ndryshme në Zvicër. Prandaj, ëndrra e tij për të hapur një restorant shqiptar, e ka ngrohur gjatë gjithë viteve të kaluara në Zvicër.
© albinfo.ch: Pamja nga jashtë, me rastin e përurimit
Së fundi, në pranverën që shkoi, ai arriti ta realizonte, së paku një pjesë të kësaj ëndrre. Në restorantin e tij “Casa Davinci” në qendër të Dietikonit, jo larg Cyrihut, Ismajli ka përuruar linjën e kuzhinës me specialitete shqiptare. Këtu mund të porositësh të tilla delikatesa si “çorbë viçi” nga Reka e epërme e Dibrës, ose “Sallatë shqiptare me djathë Korabi”, apo “Pjata Tirana”, me meze të ndryshme por edhe mish qengji në hell e gatesa të tjera që së fundi mund t`i kesh shijuar vetëm kur ke qenë në vendlindje. Apo, as atëherë…
“Synim imi ka qenë që kuzhinën shqiptare ta prezantoj përtej klisheve të njohura të `qebapëve dhe byrekëve`”, thotë Ismajli, teksa shfleton menynë që i ka shtuar restorantit të tij, të identifikuar më parë, kryesisht me kuzhinën italiane. Por, ai ka shkuar edhe më tutje.
© albinfo.ch: Një nga punimet me motiv shqiptar në muret e restorantit
Kudo që të ulesh në restorantin “Casa Davinci”, nga muret rreth e rrotull të shikojnë piktura e grafika me motive shqiptare si; portrete të Skënderbeut, reproduktime të monedhave ilire dhe të eksponateve arkeologjike nga Iliria etj. Të gjitha këto, punime të artistit akademik të grafikës, Adem Dërmaku, me qëndrim në Dietikon. Është kjo një si ekspozitë e përhershme e tij që e ka hapur në një ambient paksa të veçantë.
Por, këtu nuk përfundon rrëfimi për shijen artistike të pronarit të restorantit. Ata që vijnë këtu për të shijuar ushqimin nga trevat shqiptare, pos artit shqiptar në mure, do t`i befasojë edhe një gjë: nga pianinoja në ballë të sallës së restorantit do të dëgjojnë tinguj shqip. Jo tallava, as turbo folk por tinguj të butë të muzikës së lehtë, të kultivuar shqiptare.
© albinfo.ch: Lendi, nga pianoja e tij shpërndan tinguj të artikuluar shqip
Është shkodrani Lendi, një i ri me shkollim muzikor, ai që me këngë të zgjedhura nga të gjitha viset shqiptare, të shoqëruara me interpretimin e tij mjeshtëror me pianino të kujton se muzika shqiptare është diçka më shumë se zhurmat e paartikuluara që i dëgjojmë në disa diskoteka të këtushme.
© albinfo.ch: Pronari Ismail Murati
Fakti se në restorant vazhdojnë të vijnë edhe klientë të rregullt zviceranë e të tjerë, e bën edhe më të qëlluar përcaktimin për llojin e muzikës, që ka bërë pronari Ismail Murati.
E lamë për në fund, por jo pse është më pak e rëndësishme, në këtë radhë befasish të këndshme: veshjen e personelit. Kamerierët dhe kamerieret që do të të shërbejnë këtu kanë të veshura kostumet kombëtare shqiptare, varietetet e saj nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.
E pra jemi gjithnjë në Dietikon të Cyrihut, në Zvicër. Ku, pronari i restorantit, Ismaili, nga Tanusha e Dibrës ka guxuar të “shqiptarizojë” restorantin e tij italian. Në një kohë kur kolegë të tij shqiptarë, pronarë restorantesh, “italianizohen”, gjegjësisht ndalojnë të flitet shqip në lokalet e tyre, nga frika se do të zbulohet përkatësia e tyre shqiptare…!
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë Festa e shoqatës “Bashkimi" nga Usteri kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë...
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor