Portrete të firmave

Restoranti “Letzigrund”, vazhdimësi e traditës së familjes Kqira

Luigj Kqira: “Emri 'Letzigrund' është një homazh ndaj lokacionit të tij, stadiumit të famshëm në Cyrih, që për shumë njerëz simbolizon energjinë, bashkimin dhe pasionin”

Është mbushur afër një vit qëkur “Letzigrund Restaurant”, një lokal në një pikë shumë të frekuentuar të Cyrihut, drejtohet nga Luigj Kqira. Por familja e Luigjit është e njohur për përvojën e gjatë në drejtimin e restoranteve.

Xhaxhai i Luigjit, Preni dhe babai, Antoni, janë ndër “pionierët” e gastronomisë nga shqiptarët e Zvicrës. Ata kanë filluar në vitin 1992 me hapjen e një restoranti në Beringen të Schaffausenit, për të vazhduar pastaj me një numër të madh të restoranteve që kanë hapur dhe drejtuar, në shumë pika të Zvicrës, kryesisht në kantonin e Cyrihut.

Nga kjo përvojë ka përfituar me siguri edhe Luigji, i cili, me hapjen e restorantit më të ri, që ndodhet pikërisht pranë stadiumit të madh të Cyrihut “Letzigrund”, ka treguar njohuritë dhe ambicien për këtë fushë.

Luigj Kqira

Albinfo.ch: Na flisni pak rreth historisë së familjes tuaj në Zvicër, si disa gastronomët e parë shqiptarë në Zvicër. Cilat ishin sfidat me të cilat u perballët si disa ndër shqiptarët e parë në këtë sektor?

Kqira: Baba im, Antoni dhe axha im Preni emigruan në Zvicër në vitet ’80 me një synim të thjeshtë, por ambicioz: të ndërtonin një jetë më të mirë përmes punës së palodhur. Fillimisht, punuan në restorante të ndryshme për një dekadë, duke fituar eksperiencë të vlefshme dhe duke mësuar standardet e larta të shërbimit dhe kuzhinës në Zvicër. Sfida më e madhe ishte të fitonin besimin e zviceranëve në një kohë kur shqiptarët ishin ende një komunitet i vogël dhe i panjohur. Vendosmëria e tyre, cilësia e shërbimit dhe aftësia për t’u përshtatur i ndihmuan ata të kapërcenin këto pengesa. Në vitin 1992, hapën restorantin e tyre të parë në Beringen të Schaffhausenit, dhe që atëherë kanë pasur një pritje jashtëzakonisht pozitive nga zviceranët dhe komunitetet e tjera.

Albinfo.ch: Çfarë ju bën krenarë për rrugëtimin e familjes suaj në këto mbi 30 vite?

Kqira: Jemi krenarë për gjithçka që kemi arritur përmes punës së palodhur dhe të ndershme, e cila jo vetëm që ka sjellë suksesin tonë, por edhe ka dëshmuar vlerat dhe përkushtimin e familjes sonë. Një tjetër arsye për krenarinë tonë është uniteti familjar, që gjithmonë ka qenë shtylla kryesore e rrugëtimit tonë, duke na mbajtur bashkë në çdo sfidë dhe arritje. Po ashtu, pavarësisht sukseseve dhe ndryshimeve në mjedisin tonë, asnjëherë nuk kemi harruar rrënjët tona, Kosovën dhe vlerat tona tradicionale, të cilat janë pjesë e pandashme e identitetit dhe suksesit tonë. Ky kombinim i përpjekjes, bashkimit familjar dhe ruajtjes së identitetit është ajo që na bën më së shumti krenarë.

Albinfo.ch: Kur e keni hapur restorantin “Letzigrund” dhe ku gjendet me lokacion?

Kqira: Restorantin “Letzigrund” e kemi marrë në pronësi më 1 janar 2024 dhe, pas një rinovimi të madh dhe investimeve të rëndësishme, e kemi rihapur në fund të muajit maj të po këtij viti. Lokacioni i tij është ideal, duke u ndodhur menjëherë pranë stadiumit Letzigrund ne Zürich, një zonë shumë e njohur dhe e frekuentuar, që ofron një atmosferë të veçantë për klientët tanë.

Albinfo.ch: A ka ndonjë histori interesante pas emrit të restorantit?

Kqira: Emri ‘Letzigrund’ është një homazh ndaj lokacionit të tij, stadiumit të famshëm në Cyrih, që për shumë njerëz simbolizon energjinë, bashkimin dhe pasionin. Ishte një zgjedhje strategjike për të krijuar një lidhje të ngushtë me komunitetin lokal. Përveç kësaj, pas disa ideve të tjera për emrin e restorantit, vendosëm për ‘Letzigrund’ edhe për arsye praktike dhe strategjike, veçanërisht për përfitimet që sjell për optimizimin e kërkimit (SEO), duke e bërë më të lehtë për klientët tanë që të na gjejnë online.

Albinfo.ch: Si ndryshon “Restaurant Letzigrund” nga restorantet e tjera që drejtoni?

Kqira: Të gjitha restorantet që kemi drejtuar ose që vazhdojmë t’i drejtojmë janë unikate dhe kanë secili hijeshinë dhe karakterin e vet. Ajo që i bashkon të gjitha është pasioni dhe përkushtimi ynë, me të cilin menaxhojmë çdo detaj, duke u siguruar që të ofrojmë gjithmonë përvoja të jashtëzakonshme për klientët tanë.

Ajo që e bën “Restaurant Letzigrund” të veçantë është historia e tij: fillimisht është ndërtuar si një boccia-hallë, dhe ky element unik vazhdon të jetë pjesë e identitetit të tij edhe sot. Në katin e parë të restorantit ndodhen ende katër fusha boccia-je, ku klientët tanë mund të luajnë dhe të shijojnë një eksperiencë të rrallë që kombinon ushqimin cilësor me argëtimin. Ky kombinim e bën “Restaurant Letzigrund” një destinacion të veçantë dhe të paharrueshëm.

Albinfo.ch: Çfarë lloj kuzhine ofron “Restaurant Letzigrund”? A ka elemente të traditës shqiptare?

 Kqira: Restaurant Letzigrund” ofron një kombinim të kuzhinës italiane dhe zvicerane. Çdo ditë përgatisim pjata të freskëta dhe sezonale, si dhe menu të larmishme për drekë, të shoqëruara me një bar të këndshëm ku mysafirët mund të relaksohen dhe të ndjejnë një ngrohtësi nga stafi ynë.

Një karakteristikë e veçantë e restorantit tonë është kuzhina e hapur, ku klientët mund të ndjekin përkushtimin dhe pasionin me të cilin përgatiten pjatat e tyre. Megjithëse, edhe pse të shijshme dhe të veçanta janë gatimet e vendit tonë, ne nuk i kemi në meny, domethënë nuk ofrojmë gatime shqiptare, megjithatë kjo s’do të thotë që nuk i kemi menduar shpesh herë.

Albinfo.ch: Cilat janë disa nga specialitetet që klientët tuaj duhet t’i provojnë?

Kqira: Në “Restaurant Letzigrund” kemi një zgjedhje të madhe pjatash për çdo shije. Aktualisht, fondue është një nga specialitetet tona dhe personalisht më ka bërë shumë për vete! Pa marrë parasysh zgjedhjen, çdo pjatë është përgatitur me kujdes dhe dashuri.

Albinfo.ch: A përdorni përbërës nga Kosova ose Shqipëria në menunë tuaj?

 Kqira: Aktualisht, nuk përdorim përbërës nga Kosova ose Shqipëria në menynë tonë. Megjithatë, gjithmonë jemi të hapur ndaj mundësive të reja dhe nuk përjashtojmë që në të ardhmen të integrojmë produkte autentike nga ato vende, për t’i shtuar një dimension të veçantë menynë sonë.

Albinfo.ch: Si përpiqeni të krijoni një përvojë unike për klientët tuaj në “Restaurant Letzigrund”?

Kqira: Përvojën unike e krijojmë përmes një mikpritjeje të jashtëzakonshme, ushqimeve të freskëta dhe një atmosfere të ngrohtë familjare. Gjithashtu, organizojmë ngjarje të veçanta, si netë tematike me muzikë live, për të ofruar diçka më shumë sesa vetëm ushqim.

Albinfo.ch: A ka ndonjë aspekt të veçantë të dizajnit të brendshëm që përçon historinë apo identitetin tuaj?

Kqira: Po, dizajni i brendshëm i restorantit pasqyron historinë dhe identitetin tonë në mënyrë të veçantë. Ai është krijuar nga miku ynë dhe arkitekti i talentuar nga Kosova, Ramadan Shalaj, i cili me vizionin e tij ka sjellë një harmoni unike mes traditës dhe modernes. Shumica e elementeve të dizajnit janë prodhuar në Kosovë nga mjeshtri i njohur Marius Borova, duke treguar lidhjen tonë të fortë me rrënjët tona dhe vlerësimin për artizanatin shqiptar. Ky kombinim e bën ambientin e restorantit jo vetëm funksional, por edhe të veçantë dhe të ngrohtë për çdo vizitor.

Albinfo.ch: Si e shihni rolin e familjes suaj në promovimin e kulturës shqiptare përmes gastronomisë në Zvicër?

Kqira: Ne e shohim rolin tonë si një urë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar në Zvicër. Përmes restoranteve tona, kemi krijuar gjithmonë hapësira ku shqiptarët ndihen të mirëpritur dhe si në shtëpi, duke ruajtur dhe promovuar vlerat e mikpritjes dhe bashkimit që janë thelbësore për kulturën tonë. Ndërkohë, përkushtimi ynë për cilësinë dhe shërbimin ka ndihmuar që klientët e huaj të njihen me frymën dhe etikën tonë të punës, duke përfaqësuar me krenari origjinën tonë. Besojmë se kjo qasje ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi pozitiv të kulturës shqiptare në Zvicër.

Albinfo.ch: A keni ndonje plan për biznes të radhës në 2025-ën?

 Kqira: Si familje, kemi disa plane interesante për të ardhmen, duke përfshirë projekte të reja që shpresojmë të kontribuojnë pozitivisht jo vetëm për ne, por edhe për komunitetin. Secili prej nesh ka gjithashtu synime personale. Për shembull, fokusi im kryesor do të jetë të vazhdoj ta zhvilloj dhe ta bëj ‘Restaurant Letzigrund’ një destinacion të njohur dhe të veçantë, një hotspot në Zyrih. Po ashtu, kam plane për të zhvilluar më tej botimin tim ekonomik “Opinomic” me qëllim që të sjell vlera dhe njohuri të reja.

Mbi të gjitha, jemi mirënjohës për mundësitë që kemi dhe shpresojmë që viti i ardhshëm të sjellë shëndet, paqe dhe më shumë të mira jo vetëm për ne, por për të gjithë – qofshin këtu në Zvicër apo në Kosovën tonë të dashur.