Lajme

Reshje të dendura shiu dhe breshër në shumë regjione të Zvicrës

Të tjera rrebeshe pritet të pasojnë gjatë natës dhe gjithashtu të enjten, pjesërisht në formë shtrëngatash të forta

Momentalisht në Zvicër stuhitë po sjellin reshje të shumta shiu në një kohë të shkurtër, erëra të fuqishme dhe breshër, transmeton albinfo.ch. Deri më tani, shumica e reshjeve kanë rënë në Jura, në Zvicrën veriperëndimore dhe në Ticino.

Të tjera rrebeshe pritet të pasojnë gjatë natës dhe gjithashtu të enjten, pjesërisht në formë shtrëngatash të forta, raporton SRF Meteo. Por nuk do të ketë shi në gjithë Zvicrën.

Të premten pritet të ketë lagështi më të madhe në anën veriore të Alpeve. Në jug do të mbetet lagësht deri të enjten, dhe pas kësaj do të mbizotërojë sërish thatësia.

Sipas të dhënave aktuale, të gjitha zonat e Zvicrës pritet të marrin të paktën një sasi të vogël të ujit të shumëpritur deri të dielën, por kjo ende shoqërohet me paqartësi, shkruan SRF Meteo, transmeton albinfo.ch. Sepse pjesa më e madhe e reshjeve bie në formë konvektive: në nivel lokal dhe të dendur, por jo në një zonë të madhe.