Kosova

Kosovë: Rënia e Bruto Produktit Vendor rrit papunësinë dhe varfërinë

Rënia e Bruto Produktit Vendor në Kosovë, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, do të sjellë më shumë humbje të vendeve të punës, rrjedhimisht rritje të shkallës se varfërisë, thonë profesorët e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj dhe Driton Qehaja.

Ekonomia e Kosovës, sipas Bankës Botërore, gjatë këtij viti do të tkurret për -8.8 për qind, çka ka rezultuar që Bruto Produkti Vendor në gjashtëmujorin e parë të këtij viti të bie për – 9,28 për qind.

Rënia në këtë shifër, sipas një hulumtimi të Institutit GAP, ka bërë që “prodhimi i brendshëm në Kosovë të shënojë rënien më të madhe që nga paslufta”.

Bruto Produkti Vendor (BPV) është treguesi kryesor dhe më i rëndësishëm makroekonomik në sistemin e llogarive kombëtare, i cili paraqet rezultatet finale të prodhimit në të gjitha aktivitetet e njësive prodhuese rezidente.

Bruto Produktit Vendor është llogaritur sipas tri elementeve: qasja e prodhimit, qasja e shpenzimeve dhe qasja e të ardhurave në Republikën e Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, BPV-ja për vitin 2019 ishte mbi 7.1 miliardë euro, kurse BPV-ja për kokë banori ka qenë 3,566 euro, përderisa rritja reale ekonomike ka qenë 4.2 për qind.

Përveç Kosovës, të dhënat e Bankës Botërore, tregojnë se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor do të pësojnë rënie ekonomike gjatë këtij viti si pasojë e COVID -19.

Qehaja: Kosova, në shok ekonomik

Bruto Produkti Vendor do jetë rreth një miliard euro më pak gjatë këtij viti. Me gjithë këtë rënie, profesori i makroekonomisë, Driton Qehaja, shprehet se Kosova me shifrat aktuale nuk klasifikohet në krizë, por në shok ekonomik.

Por, nëse një situatë e tillë vazhdon edhe muajit e ardhshëm, Kosova, sipas tij, do ballafaqohet me krizë ekonomike.

“Pra, përkeqësim në të gjithë variablet ekonomike, si në sektori real, sektorin financiar dhe qeveritar. Në këtë rast kuptojmë edhe të hyrat, shpenzimet qeveritare edhe shpenzimet kapitale”, tha Qehaja.

Ramosaj: Rënia e konsumit ka zvogëluar BPV-në

Profesori tjetër i ekonomisë, Berim Ramosaj, thotë se me rënien ekonomike, zvogëlohen investimet kapitale vendore dhe ndërkombëtare, rrjedhimisht bie niveli i financimit të zhvillimit. Rënia e këtyre parametrave ndikon në rritjen e shkallës së papunësisë dhe varfërisë.

“Kur ka më pak investime, shpërndarja bëhet më problematike, sepse kur nuk prodhohet nuk ka çka të ofrohet. Shumica e shteteve, këtë humbje po mundohen ta mbulojnë me forma të ndryshme, qoftë me borxhe ndërkombëtare, vetëm që të ndihmohen qytetarët dhe bizneset”, tha Ramosaj.

Të hyrat e aktiviteteve ekonomike që u prekën më së shumti nga rënia e shpenzimeve janë industria e ndërtimit me 47 për qind, pasuar nga tregtia, transporti, akomodimi dhe gastronomia me 24 për qind. Po, ashtu gjatë gjashtëmujorit të parë këtij viti, industritë deklaruan rreth 594 milionë euro ose 11 për qind më pak qarkullim në Administratën Tatimore të Kosovës sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Profesori Qehaja thotë se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë forma që të ndihmojë kompanitë prodhuese, në mënyrë që të përmirësohet Bruto Produkti Vendor.

Mbështetje për industrinë e prodhimit ka kërkuar edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës. Ky Klub ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të lirojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore.

Sipas këtij klubi, lirimi nga TVSH-ja do të ndikonte direkt në rritje të konsumit të produkteve vendore.

Në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.

Ndryshe, humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës, që nga muaji mars i këtij viti, të shkaktuara nga pandemia, sipas përfaqësuesve të bizneseve, vlerësohen të jenë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune. /rel