Lajme
Remitancat, nevojë e patjetërsueshme për shumë kosovarë
Kjo është shtëpia ku tashmë e 8 vjet jeton familja e Lutfi Ahmetit, i cili pas luftës ka ardhur për të jetuar në Gjilan, pasi shtëpia e tij në fshatin Zhegoc i ishte djegur në luftë. Këtë shtëpi Luftiu nuk do të mund ta ndërtonte me rrogën e tij. Atij shtëpinë ia ndërtuan vëllezërit që jetojnë në Zvicër tash e 20 vjet.
Ahmeti thotë se tash e ka të vështirë ta mbajë familjen prej 6 anëtarëve me pagën e tij. “Përpara, pos rrogës, çdo muaj më kanë dërguar vëllezërit deri në 200 euro në muaj dhe ajo më ka mundësuar të jetoj më mirë. Tash me punën time fitoj vetëm 300 euro dhe fëmijët me janë rritur dhe po e kamë të pamundur t’ia dalë mbanë”, thotë Lufti Ahmeti.
Njëjtë i ka punët edhe familja Llaspashtica nga Prishtina. Në këtë familje tash e një kohë nuk po marrin ndihma nga të afërmit jashtë shtetit dhe ata janë detyruar të mbijetojnë me punën që bëjnë në Kosovë. “Një kohë kam punuar vetëm unë, sepse më ndihmonin vëllezërit, por tash jam detyruar ta fus në punën edhe gruan edhe vajzën për t’ia dalë disi”, thotë Milaim Llapashtica.
Por, ndryshe nga familjet Ahmeti dhe Llapashtica, familja Xhymshyti nuk e ka këtë problem. Agron Xhymshyti është 26-vjeçar dhe ai asnjëherë nuk ka punuar asgjë, nga se atë e mban vëllai i tij që jeton në Zvicër. “Ne jemi tre anëtarë te familjes, babai punon si mësues dhe ne jetojmë me parat që na dërgon Dritoni nga Zvicra”, pohon Agroni.
Agron Xhymshyti
Ndryshe në raportin e disa institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe të Bankës Qendrore të Kosovës thuhet se afro 20 për qind e kosovarëve pranojnë mjetet financiare nga familjarët e tyre që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës. Sipas raportit, thuhet se pjesa më e madhe e remitencave përdoret për konsum.
Remitencat vazhdojnë të luajnë një rol të madh në ekonominë e Kosovës dhe njëherësh këto dërgesa janë element i rëndësishëm për zbutjen e varfërisë në vend, pasi afër 20 për qind e familjeve kosovare pranojnë remitenca, shifër kjo që është më e lartë në zonat rurale, se sa në zonat urbane.
Të ardhurat nga remitencat kontribuojnë në rreth 40 për qind të totalit të ardhurave të përgjithshme mujore të familjeve që i pranojnë ato, kjo tregon se ato janë instrument i rëndësishëm për zvogëlimin e varfërisë, në përmirësimin e përkujdesjes shëndetësore dhe përmirësimin e arsimit, veçmas në zonat rurale.
Ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala
Edhe ministri në dorëheqje i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, theksoi se dërgesat e emigrantëve kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës po e ndihmojnë shtetin e Kosovës në rrugën e pavarësimit të plotë ekonomik dhe në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme.
“Prandaj, në këtë kontekst, roli i remitencave në ekonominë e Kosovës ka qenë esencial gjatë gjithë historisë së saj, por rëndësia e tyre u rrit në veçanti gjatë dekadës së fundit, ku së bashku me ndihmën e pranuar nga donatorët, remitencat ndikuan ndjeshëm në përmirësimin e zhvillimit ekonomik”, theksoi Shala.
Gani Gërguri, ushtrues i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës
Por, në pjesën e parë të vitit 2010 dërgesat nga jashtë kanë shënuar një ngritje të vogël, bëri të ditur Gani Gërguri, ushtrues i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. “Në gjysmëvjetorin e parë të vitit kemi rreth 1.3 për qind të remitencave, ndërsa rezultate preliminare, deri në këtë moment, flasin gjithashtu për një rënie të vogël të tyre. Presim që, pak a shumë, niveli i remitencave në Kosovë të jetë i ngjashëm me vitin paraprak”, tha Gërguri.
Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e udhëtimit të vendit nga përpjekjet për të mbijetuar deri në stabilitetin ekonomik, tha Azza El-Abd, zëvendësdrejtore e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara, USAID. “Tani sfidë para nesh mbetet fakti që të ndihmojmë që remitencat t’i largojmë nga konsumi dhe gjërat bazike, në mënyrë që këto mjete të orientohen tek investimet dhe krijimi i bizneseve të cilat gjenerojnë vende të reja pune”, tha Azza El-Abd.
Sipas një raporti të publikuar më herët nga UNDP-ja llogaritet se 400 mijë kosovarë jetojnë jashtë vendit. Po ashtu në raport thuhet se familjet që pranojnë remitenca fitojnë mesatarisht 480 euro në muaj, nga të cilat 194 euro janë nga dërgesat e familjarëve që jetojnë në diasporë. Këto familje, sipas studimit, shpenzojnë 22 për qind më tepër në kujdes shëndetësor dhe shtatë për qind më shumë në arsimim.
Ndryshe, shuma e përgjithshme e remitencave të pranuara në vitin 2009 ka arritur në 422.7 milionë euro, nga kjo shumë mbi 45 për qind kanë qenë para të gatshme, ndërsa pjesa tjetër është shpenzuar për konsum, investime në biznes dhe banim.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve