Lajme
Rekordi i remitencave, ‘shpëtim’ për ekonominë e Kosovës
Rrahim Selimi nga komuna e Podujevës, çdo muaj pranon 500 euro nga djali i tij 34 vjeç, që jeton dhe punon në shtetin e Zvicrës. Ai tregon se me paratë e dërguara e ka ndërtuar edhe shtëpinë.
“Varemi nga paratë e tij, na ndihmon shumë, faleminderit prej tij”, thotë Selimi.
Ky 78-vjeçar, ish-punonjës i Minierës së Hajvalisë në kuadër të kompleksit metalurgjik “Trepça”, thotë se pensioni në vlerë prej 182 eurosh nuk mjafton për familjen e tij prej pesë anëtarësh.
Madje, gjatë vitit 2021, djali i Selimit ka dërguar edhe më shumë para se zakonisht, për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë dhe ngritjes së çmimeve.
Pikërisht viti 2021 është viti kur Kosova ka shënuar vlerën më të madhe të remitencave.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, nga muaji janar deri në muajin tetor të këtij viti, vlera e remitencave në Kosovë ka arritur në 955 milionë euro apo 160 milionë euro më shumë se vitin 2020.
Përveç remitencave, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.33 miliard euro, e cila paraqet rritje prej 151 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kjo rritje ka ndodhur pasi gjatë sezonit të verës, sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmetit, numër i madh i qytetarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit pushimet i kanë kaluar në Kosovë.
Në vitin 2019, diaspora i kishte anuluar vizitat në Kosovë për shkak të pandemisë me COVID-19.
“Lehtësimi i masave kundër koronavirusit, si në Kosovë dhe jashtë saj, bëri që viti 2021 të jetë një vit i suksesshëm, duke pasur parasysh ardhjen masive të diasporës gjatë verës. Edhe politikat mbështetëse të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës bënë që viti 2021, sipas vlerësimeve tona, të ketë një rritje ekonomike prej 9.9 për qind”, ka thënë Mehmeti javën e kaluar në konferencën përmbyllëse për këtë fundvit.
Edhe profesori i Ekonomisë, Mejdi Bektashi, thotë se vizitat më të shpeshta të mërgimtarëve ka ndikuar në rritjen e remitencave. Të hyrat nga diaspora, thotë ai, kanë efekte mbi mirëqenien e qytetarëve. Në shumicën e rasteve, sipas tij, këto mjete kanë mbuluar financimin e konsumit të familjeve për nevojat elementare.
“As buxheti dhe as ekonomia e Kosovës nuk do të mund të funksiononin në mënyrë normale, po të mos ishin remitencat aq të larta. Po të mos ishin remitencat, do të kishim krizë më të thellë në nivelin ekonomik dhe social”, thotë Bektashi, transmeton Rel, përcjell Albinfo.ch.
Edhe Rrahim Selimi thotë se gjendja e familjes së tij do të ishte e papërballueshme pa paratë që sjell djali nga Zvicra.
“Gjithçka e blerë, ushqimi, rryma, uji, mbeturina. Nuk di si do ta kalonim muajin pa paratë e djalit”, thotë ai.
Megjithatë, Bektashi e konsideron të nevojshëm ndryshimin e orientimit të remitencave nga konsumi në investime.
“Unë jam ithtar i asaj që Qeveria të krijojë kushte të favorshme, të krijojë lehtësira në formë fiskale apo forma tjera për t’i joshur mërgimtarët për të investuar në prodhim. Kjo në mënyrë që ata të bartin kapitalin, dijen dhe përvojën në vend, njëherësh të ketë hapje të vende të reja të punës”, thekson Bektashi.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë më shumë se 850 mijë banorë.
Numër i madh i tyre jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës