Integrimi
Reis Luzhnica: Të bashkojmë votën për një përfaqësim në nivel nacional
“E mira e sistemit zviceran është që votuesit nuk duhet të ndajnë votën. Ata e kanë mundësinë t`i votojnë të gjithë kandidatët shqiptarë së bashku”
Reis Luzhnica është 33 vjeç. I lindur në Prishtinë ndërsa jeton në Zvicër (Cyrih) që nga mosha 2 vjeçare. Në zgjedhjet e vitit 2018 për Asamblenë qytetit të Cyrihut ai ishte i pari në listë pas kandidatit të zgjedhur në mënyrë të rregullt. Pas tërheqjes së tij, në vitin 2021 Reisi fiton vendin në asamble. Ndërsa në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2022 ai zgjidhet në Asamblenë e Cyrihut në mënyrë të rregullt dhe me numër të madh votash.
Krahas anëtarësisë në SP ai njihet edhe për angazhimin e tij në Lëvizjen Vetëvendosje, në Zvicër. Ai drejton një punëtori shtypi në Altstetten të Cyrihut.
Ai është njëri ndër politikanët shqiptarozviceranë që kanë shpallur kandidaturën për zgjedhjet nacionale që mbahen më 22 tetor të këtij viti
Albinfo.ch: Jeni shpallur nga partia juaj kandidat për zgjedhjet federale që mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju keni një bagazh të pasur të angazhimit në politikën lokale të Cyrihut. Çka është ajo që ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten edhe në nivelin nacional?
R. Luzhnica: Në qytetin e Cyrihut, ne socialdemokratët kemi treguar suksese të mëdha në shumë fusha, atraktiviteti i Cyrihut është rritur falë politikës sonë. Por aty ku nuk kemi shumicë (në nivel kantonal dhe nacional) vendosen shumë çështje të rëndësishme për jetën e qytetarëve të Cyrihut. Aty të djathtët na diktojnë e imponojnë shumëçka dhe aty ne si të majtë duhet të synojmë ndryshimin, kjo është një arsye pse kam vendosur të kandidoj në zgjedhje nacionale.
Në zgjedhjet lokale kam arritur që nga vendi i pestë të dal në vendin e tretë dhe të zgjidhem me një rezultat mjaft të mirë. Por niveli nacional është një dimension krejt tjetër, këtu kërkohet një angazhim dhe mobilizim shumë më i madh, por besoj që potenciali i votuesve shqiptarë është i madh dhe me mobilizim të mirë mund të ndodhë një befasi.
Albinfo.ch: Ka pasur edhe më parë, para disa viteve, një numër të madh politikanësh me rrënjë shqiptare, kandidatë për Parlamentin e Zvicrës. Siç është parë më vonë, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë që në fillim të pa gjasa dhe kanë shërbyer vetëm për të siguruar vota nga komuniteti shqiptar. A mendoni se kësaj here, me rastin tuaj qasja është ndryshe?
R. Luzhnica: Angazhimi politik në Zvicër kërkon shumë durim dhe kohë. Tani jemi disa kandidatë në Cyrih, por jo vetëm, qe e kanë një karrierë politike disavjeçare dhe kanë përvojë mjaft të madhe në punën partiake, kjo sigurisht na ndihmon ne si kandidatë.
Albinfo.ch: Është e qartë: Ju jeni nominuar nga partitë tuaja dhe u jepni llogari atyre, duke kërkuar mbështetjen nga to. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje: Sipas tij “janë pjekur kushtet” që më në fund të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në parlament. A mendoni edhe ju se “janë pjekur” këto kushte?
R. Luzhnica: Në shumë fusha kemi arritur të depërtojmë, si për shembull në ekonomi dhe në sport, mendoj se tash janë pjekur kushtet që të kemi edhe deputetë shqiptarë në Parlamentin Nacional, dhe është mirë qe kjo të arrihet edhe me përkrahjen e shqiptarëve.
Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar në këto zgjedhje apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?
R. Luzhnica: Në zgjedhjet lokale kemi dëshmuar se jemi etabluar në partitë tona dhe i kemi bindur votuesit tradicionalë të partisë, pastaj duke ja shtuar këtu edhe votat e shqiptarëve, kam arritur një rezultat të mirë. Dhe sigurisht qëllimi im është që përveç votat e votuesve tradicionalë t`i fitoj dhe votat e komunitetit shqiptar. E mira e sistemit zviceran është që votuesit nuk duhet të ndajnë votën, dhe të vendosin nëse do ta përkrahin njërin apo tjetrin kandidat. Ata e kanë mundësinë t`i votojnë të gjithë kandidatët shqiptarë së bashku.
Albinfo.ch: Keni edhe ndonjë bazë specifike, një komunitet (shoqërore, sportiv, kulturor…) , të cilit ja përfaqësoni interesat dhe nga i cili pritni mbështetje më të madhe?
R. Luzhnica: Ne si Parti Socialdemokrate gjithmonë i kemi mbështetur interesat e atyre që nuk kanë lobi dhe nuk kanë shumë kapital për t`i shprehur interesat e tyre siç bëjnë kompanitë e mëdha. Në nivel lokal gjatë pandemisë kemi dëshmuar se i mbështesim edhe interesat e prodhuesve por edhe kompanive tjera dhe nuk i lëmë në mëshirën e “tregut të lirë”. Nuk e kemi një komunitet specifik qe e përkrahim, në përgjithësi i përfaqësojmë interesat e shumicës për një jetë të dinjitetshme.
Albinfo.ch: Jeni tre kandidatë për zgjedhjet nacionale, vetëm nga Kantoni i Cyrihut. A mendoni se në këtë mënyrë po shkapërderdhet vota, të themi kushtimisht “shqiptare” e kantonit tuaj, në këto zgjedhje?
R. Luzhnica: Siç jam përgjigjur më lart, kjo është e mira e sistemit votues zviceran. Vota shqiptare nuk duhet të shpërndahet. E kemi pra mundësinë t`i votojmë të gjithë kandidatët shqiptarë, ashtu do t’ia bëj edhe unë. Është me rëndësi që të votohet partia e preferuar, në rastin tim, Partia Socialdemokrate dhe pastaj të votohen kandidatët shqiptarë.
Albinfo.ch: Na thoni, me pak fjalë: përse duhet t`ua japë votën një shqiptar, person me të drejtë vote në Zvicër? A ka ndonjë fushë specifike në të cilën premtoni se do të angazhoheni veçanërisht në këtë drejtim?
R. Luzhnica: Partia Socialdemokrate gjithmonë është angazhuar për çështjen e Kosovës dhe ka qenë përkrahëse në të gjitha fazat qe i ka kaluar Kosova, dhe vazhdon të jetë. Kjo vërehet sidomos tash me bashkëkryetarët e rinj të partisë. Sa i përket politikës së brendshme nuk ka një fushë specifike ku përfiton vetëm komuniteti ynë nga politika e cilësdo parti, por jam i bindur që oferta jonë është më e favorshmja për shumicën e qytetarëve. Jo vetëm për qytetarët me pak të ardhura por edhe për ndërmarrësit, siç jam unë.
Albinfo.ch: Deri në zgjedhje kanë mbetur rreth 5 muaj, që nuk është një periudhë aq e gjatë. A keni bërë planin për fushatën tuaj zgjedhore? Nëse po, si duket ajo, në pika të shkurtra? Keni paraparë takime edhe me komunitetin shqiptar të këtushëm?
R. Luzhnica: Në vija të trasha ne si parti e kemi një plan për fushatën tonë, atij plani do t`i përmbahem por përveç kësaj dua të bëj takime me komunitetin tonë, takime të vogla por edhe tubime të mëdha. Një event që tani jemi duke e planifikuar që ta bëjmë me të gjithë kandidatët shqiptarë, ky event do të mbahet në shtator, data e saktë nuk është vendosur ende.
Albinfo.ch: Ndonjë fjalë me të cilën doni t`i drejtoheni komunitetit shqiptar, gjegjësisht lexuesve të Albinfo.ch me rastin e garës tuaj për Parlamentin e Zvicrës?
R. Luzhnica: Luzhnica: Gëzohem që ne si komunitet kemi arritur suksese në të gjitha fushat, sidomos aty ku duhet angazhim individual, aty gjithmonë kemi qenë të fortë. Por është tejet e rëndësishme që të arrijmë edhe aty ku nevojitet angazhim dhe organizim kolektiv, si për shembull në politikë, kjo e ndihmon të gjithë komunitetin tonë, jo vetëm ata që marrin detyra. Është një mundësi e mirë të arrijmë suksesin e radhës së bashku dhe të kemi një përfaqësim në parlamentin nacional. Ju faleminderit të gjithëve për angazhimin dhe përkrahjen tuaj.
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?