Lajme

Regjistrimi i diasporës është kompleks dhe shumë i kushtueshëm

Projekti i regjistrimit të diasporës është shumë i kushtueshëm, ndërsa Kosovës i mungojnë kapacitetet e nevojshme

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, të paralajmëruar në fillim të muajit prill, nuk do të regjistrohen edhe kosovarët që jetojnë jashtë vendit.

Shtetasit e Republikës së Kosovës në diasporë konsiderohen të jenë banorë jorezidentë dhe do të përfshihen në formularët suplementarë të regjistrimit.

Nga ana tjetër, për regjistrim të emigracionit Kosova duhet të përgatitë një projekt të veçantë demografik.

Një projekt i tillë statistikor është shumë kompleks dhe i kushtueshëm, ndërsa Kosovës i mungojnë kapacitetet e nevojshme, kanë thënë zyrtarë për regjistrim të vendit.

“Duke e marrë parasysh kontributin e pallogaritshëm të mërgatës, nuk guxojmë të zhvillojmë një proces të papërgatitur mirë dhe që nuk nxjerr statistika reale në përputhje me standardet evropiane”, ka thënë për albinfo.ch  kryetari i Komisionit qendror për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, Rifat Blaku.

Sipas tij, për regjistrimin e popullsisë kosovare nëpër botë nevojitet përgatitje speciale dhe duhen fonde që tani për tani nuk mund t’i sigurojë Kosova.

“Megjithëkëtë, është në interes nacional dhe strategjik për vendin që të realizohet një operacion i tillë demografik për emigracionin”, ka thënë Blaku.  

Blaku ka pohuar se përfshirja e mërgatës do të bëhet në kuadër të formularëve të dizajnuar për regjistrim.

“Të gjithë qytetarët që mungojnë më tepër se 12 muaj nga Kosova do të regjistrohen në listën suplementare. Kjo vlen për të gjithë qytetarët që jetojnë në botën e jashtme”, theksoi ai.

„Me këtë dëshirohet të pasqyrohen statistikat e përfafërta të numrit të kosovarëve në botë“, thotë Blaku.

Diaspora dhe serbët e zhvendosur nga Kosova janë dy tregime të ndryshme

Kryetari i Komisionit qendror për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, Rifat Blaku, ka thënë të mos kenë të përbashkët me procesin e regjistrimit të paralajmëruar në muajin prill banorët që jetojnë në diasporë dhe serbët e zhvendosur nga Kosova.

„Diaspora dhe serbët e zhvendosur nga Kosova janë dy tregime të ndryshme“, ka thënë Blaku.

Ai ka theksuar se një krahasim i tillë është i gabueshëm dhe ka për qëllim politizimin e procesit të regjistrimit.

Kosova ka rreth 700-800 mijë mërgimtarë

Sipas të dhënave të Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur, Kosova aktualisht, pa i përfshirë të shpërngulurit e hershëm në Turqi “që janë me miliona”, ka rreth 700 deri në 800 mijë mërgimtarë.

Këto të dhëna i ka bërë publike ditë më parë, kryetari i kësaj shoqate, Jahja Lluka.

Në një prononcim tjetër të zëvendëskryeministrit në largim të Kosovës, Hajredin Kuçi, pohohet të mungojnë shifra të sakta të mërgimtarëve, por një shifër e supozuar, sipas tij, është se janë rreth 500 mijë mërgimtarë.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë do të bëhet këtë vit në Kosovë, pas tri dekadave.  Projekti do të realizohet paralelisht me vendet e tjera në rajon dhe me ndihmën e Zyrës Evropiane për Statistika, EUROSTAT. Ai pritet të ofrojë një pasqyrë të saktë demografike, e cila i ka munguar Kosovës me vite të tëra.

Kosova është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur një regjistrim të popullsisë që 30 vjet, kështu që askush nuk e di me saktësi se sa banorë ka ajo.

Vlerësimet e fundit të Entit të Statistikave janë për një popullsi prej më shumë se 2.2 milionë banorësh, prej të cilëve 92 për qind janë shqiptarë, rreth 5 për qind serbë, ndërsa gupet e tjera etnike përbëjnë më pak se 3 për qind të popullsisë.