Integrimi

Refugjatët rikthejnë kontrollin në kufijtë e Shengenit?

Ministri i Brendshëm gjerman e kritikon Komisionin se po i mbyll sytë para problemeve të qyteteve të mëdha gjermane me refugjatët për shkak të varfërisë.

Përplasjet mes ministrit të Brendshëm gjerman, Hans-Peter Friedrich dhe Komisionit Evropian për të ashtuquajturin “imigrim i varfërisë” nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian po ashpërsohet gjithnjë e më shumë. 

Shumë qytete të mëdha gjermane po ankohen për ardhjen e një numri tepër të madh të bullgarëve dhe rumunëve, shumica prej tyre romë. Ata po futen në sistemin social në Gjermani dhe po e rrezikojnë paqen sociale.

Për probleme të ngjashme njoftohet edhe nga shumë qytete britanike. Friedrich ka kërkuar së bashku me kolegun britanik, atë austriak dhe holandez që Komisioni të hartojë masat e duhura për evitimin e këtij problemi. 

Por Komisarja e Brendshme, Cecilia Malmström, thotë se këtu nuk ka fare problem. Ajo kërkon që së pari të ketë në tavolinë shifrat e sakta dhe faktet për keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes brenda Bashkimit Evropian.

Shifrat dhe faktet nuk i ka prezantuar deri tani as ministri gjerman Friedrich. Por ai është shumë i pakënaqur me faktin që Komisioni nuk e pranon fare se këtu ka një problem. Me të mbërritur në Luksemburg në takimin e Këshillit të Ministrave, ai kërkoi nga Komisioni që “të përballet më shumë me problemet konkrete të njerëzve në vende të ndryshme. Nëse i duhen dëshmi, atëherë

Komisioni duhet të vizitojë qytetet e mëdha në Gjermani dhe të bindet me gjendjen”. 

Në të kundërt, nëse Komisioni vazhdon t’i injorojë problemet, “nuk mund t’i ndihmoj as unë”. Malmström thotë se vendet anëtare kanë të drejtë të reagojnë në qoftë se ka keqpërdorim të të drejtave sociale. Por, në një pikë ajo është kategorike: “Nuk mund të bëhet fjalë për kufizimin e lirisë së lëvizjes, kjo nuk është në rend dite të Komisionit”.

Friedrich: Në rast nevoje, edhe dëbim

Friedrich thotë se këtë nuk e do as ai. Por, me gjithë “miqësinë evropiane”, ai pohon se keqpërdorimet do të luftohen. Ministri i Brendshëm bëri të ditur se rumunët dhe bullgarët që janë futur ilegalisht në Gjermani do të kontrollohen dhe në rast nevoje do të largohen nga vendi. Nëse sërish kthehen në Gjermani, “policia do t’i dëbojë nga vendi me një procedurë të përshpejtuar”. Por, ai nuk mendon se duhet rifutur kontrolli i përgjithshëm në Gjermani.

Në këtë mënyrë ai flet edhe për reformën e domosdoshme të zonës Shengen. Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord me Komisionin për ndryshime. Gjermania edhe këtu ka bërë presion. Pas reformës parashikohet që vendet të mund të rikthejnë përkohësisht kontrollet e kufijve të jashtëm nëse cenohet siguria e vendit. Ardhja masive e refugjatëve mund të jetë një prej shkaqeve për mbylljen e kufijve.

Por ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, mendon se imigrantët për shkak të varfërisë nga Rumania dhe Bullgaria “nuk paraqesin një rast të tillë”. Kontrolli i kufijve të jashtëm mund të futet vetëm në qoftë se me të vërtetë kemi një situatë të jashtëzakonshme. Aktualisht nuk ka një situatë të tillë.

Mikl-Leitne thotë se Austria e ka futur rregullin strikt të paraqitjes së të gjithë njerëzve që vijnë në këtë vend dhe në këtë mënyrë e lufton këtë dukuri.

Çdo shtetas i ndonjë vendi të BE-së, i cili planifikon të qëndrojë më gjatë se tre muaj në Austri, duhet të lajmërohet tek autoritetet dhe të paraqesë dëshmi të qarta për vendin e punës, për mjetet financiare me të cilat do të jetojë në këtë kohë, apo për studimin e filluar. Ky është një rregull që frenon keqpërdorimet, pohon ajo.

Shengeni dhe lëvizjet nga një vend në vendin tjetër për shkak të varfërisë janë dy tema të lidhura ngushtë. 
Por në debatet e tanishme ato përzihen shpesh. Ministri i Brendshëm i Spanjës, Jorge Fernández Díaz, bëri përpjekje të qetësojë gjendjen, duke thënë se “Shengeni dhe liria e lëvizjes janë gjëra të pandashme. 

Por këtu duhet të bëjë pjesë edhe luftimi i keqpërdorimeve, për të mos humbur baraspeshën”. 

Deri tani nuk është gjetur ndonjë formulë e përbashkët për luftimin e kësaj dukurie.