Shqipëria
Reflektime për Panairin e 27-të të Librit: Mundësi e humbur apo pasqyrë e realitetit?
Panairi i Librit duhet të jetë festë e dijes, jo tregti e librave që shiten e blihen rastësisht. Çdo hallkë duhet të reflektojë për të sjellë ndryshime thelbësore
Panairi i Librit mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në kalendarin shqiptar. Në të mblidhen botues, përkthyes, autorë dhe lexues për hir të dashurisë për librin. Por, pas fasadës së stendave të mbushura me tituj të rinj dhe zhurmës së blerësve, ka disa probleme që, për një lexues të vëmendshëm dhe një përkthyes me sy kritik, flasin për dobësi të thella në industrinë e librit.
Hendeku i çmimeve dhe abuzimi me kursin e këmbimit
Një nga problemet më të dukshme është diferenca midis çmimeve në euro dhe në lekë. Në shumë raste, librat kanë çmime të papërballueshme për lexuesin e zakonshëm, gjë që krijon hendek midis botuesve dhe lexuesve.
Çmimi në secilin libër jepet edhe në euro, edhe në lek. Të kushton më pak po ta blesh librin me euro, por librin ta shesin në lek. Nëse ka rritje të tillë artificiale të çmimit, për shkak të kursit të këmbimit, ndërkohë që lexuesit i ndalohet ta blejë librin në valutën më të lirë, atëherë pse janë shtypur çmimet në libër edhe në euro, edhe në lek? Kësaj i thonë të tallesh me djersën e lexuesit.
Shembull: një libër ka të shtypur çmimin 2 000 lekë të reja (më pak se 20 euro me kursin e sotëm) dhe 15 euro. Por lexuesit i shitet në lek, jo në euro. Ky dallim prej 5 eurosh është rritje artificiale e çmimit që rëndon (apo lehtëson?) xhepin e lexuesit.
Për më tepër, lexuesi shpeshherë vëren se po paguan për një produkt që nuk i justifikon pritshmëritë, qoftë për cilësinë e shtypit, përkthimin, ose të dyja këto bashkë.
Cilësia e printimit dhe lexueshmëria
Një nga paradokset më të mëdha është kursimi në gjatësinë fizike të librit. Shkrimi i vogël dhe pakësimi i faqeve mund të ulin koston për botuesit në aspektin afatshkurtër, por çmimi për lexuesit mbetet i lartë. Librat bëhen të vështirë për t’u lexuar, gjë që ia ul vlerën punës së autorëve dhe përkthyesve, por ul edhe shitjet e botuesve. Si mund të pretendojmë se po promovojmë leximin kur vetë mjeti, pra libri, bëhet i palexueshëm dhe i padhurueshëm?
Ekskluziviteti dhe botimet e reja
Shumë botues i promovojnë librat e tyre vetëm ditën e panairit ose fare pak ditë përpara, duke e kthyer atë në një “gjueti të rastësishme”. Lexuesi hyn në panair pa asnjë informacion paraprak për titujt e rinj. Me të hyrë, ai përballet me një det të madh opsionesh që shpesh rezultojnë zhgënjyese.
Kjo edhe për shkak të mungesës së hapësirës fizike në ambientet e godinës. Ndërsa është duke shfletuar librin, njerëzit e tjerë kalojnë ngjitur duke u fërkuar pas tij. Si mund të përqendrohet për të marrë vendim nëse duhet ta blejë apo jo librin që ka në dorë? Nuk përqendrohet: e blen me nxitim, pastaj zhgënjehet kur e hap në shtëpi.
Përkthimet dhe problemet themelore
Një temë që nuk mund të anashkalohet është cilësia e përkthimeve. Në rastet kur përkthimi është i dobët, lexuesi zhgënjehet dhe largohet. Për pasojë, ai zgjedh ta lexojë librin në gjuhën origjinale. Emrat e huaj, të pashqipëruar, krijojnë hutim tek lexuesi shqipfolës dhe tregojnë për mungesë të kujdesit profesional. Përkthyesi i mirë duhet të jetë, para së gjithash, ndihmës për lexuesin dhe jo pengesë.
Ndërsa ata pak përkthyes që punojnë me përkushtim shpesh nuk marrin vlerësimin që meritojnë, p.sh. nuk përmenden në kapakun e përparmë. Por edhe emrat e njohur të përkthimit tashmë duket se nuk po i shqipërojnë më emrat e huaj. Nëse veprojnë kështu këta, çfarë mund të themi për përkthyesit e rinj?
Në përgjithësi, është mirë që përkthimet t’i zgjidhni duke u nisur nga përkthyesi dhe jo nga autori. Po ashtu, nëse librat kanë emra të pashqipëruar, ka mundësi që edhe përkthimi në tërësi të mos jetë i mirë ose aty ku duhet. Kush nuk tregon kujdes ndaj emrave, ka pak gjasa të tregojë kujdes ndaj fjalive.
Mungesa e kritikës dhe standardeve
Një nga aspektet më shqetësuese është mungesa e kritikës serioze letrare. Kritikët shpesh bëjnë “qoka”. Nuk bëjnë asnjë vërejtje serioze. Kjo kontribuon në një rreth vicioz ku nuk ngrihet cilësia dhe ku nuk përmirësohen përkthyesit dhe shkrimtarët. Botuesit dhe përkthyesit që duhej të ishin gardianë të cilësisë duket sikur janë kthyer në protagonistë të një tregu të mbushur me njerëz që nuk kanë kualifikimet e duhura.
Taksat dhe tatimi i dyfishtë
Një tjetër problem që i prek të gjithë është barra fiskale. Taksat e larta për botimet dhe tatimi i dyfishtë në Shqipëri dhe në Kosovë ua bëjnë të vështirë botuesve që të ofrojnë libra me çmime konkurruese. Rregulloret fiskale, në vend që ta ushqejnë kulturën e leximit, po e mbysin atë. Lexuesit duhet ta kuptojnë që çmimet do të ishin shumë më të ulëta nëse do të kishte më pak tatim.
Një foto që flet më shumë se fjalët
Në hyrjen e panairit, gabimet drejtshkrimore në një pankartë kryesore nuk janë thjesht hollësi e çfarëdoshme, por simbol i një problemi më të madh: mungesa e kujdesit ndaj punës dhe respektit ndaj parasë dhe kohës së lexuesit. Nëse një panair libri nuk arrin të respektojë vetë gjuhën dhe lexuesin, çfarë mesazhi jep ai për industrinë që përfaqëson?
Përfundim: Mësime për të ardhmen
Panairi i Librit duhet të jetë festë e dijes, jo tregti e librave që shiten e blihen rastësisht. Çdo hallkë — nga botuesit, përkthyesit dhe kritikët e deri tek organizatorët dhe librashitësit — duhet të reflektojë për të sjellë ndryshime thelbësore. Nëse duam një lexues të informuar dhe një kulturë të qëndrueshme leximi, atëherë cilësia, transparenca dhe vlerësimi i punës intelektuale duhet të jenë në qendër të kësaj ngjarjeje kulturore. Pa këto ndryshime, rrezikojmë të mbetemi një shoqëri që prodhon libra, por nuk mendon.
Nga M.Sc. Jonis Y. Buzi, përkthyes anglisht-shqip
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane