Lajme

Reduktimet e rrymës i vënë në kolaps bizneset

Reduktimet e energjisë elektrike po i demotivojnë disa biznesmenë që t’ia vejnë drynin bizneseve. Furnizimi me rrymë mbetet shqetësim në Kosovë edhe gjatë këtij viti

Dimri i sivjetmë po konsiderohet më i vështir sa i përket furnizimit me energji elektrike, për shkak të një avarie që ka ndodhur katër muaj më parë në elektrolizën e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Ky shqetësim në njërën anë dhe ngritja e çmimit të energjisë në anën tjetër, po i demotivon disa biznesmenë që t’ia vejnë drynin bizneseve. 

Kompania “Pestova”, e cila bën prodhimin dhe përpunimin e patates, është njëra nga kompanitë kosovare  e cila pritet të ballafaqohet me probleme të mëdha për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike.

Pronari Bedri Kosumi kanë thënë për REL se reduktimet e energjisë elektrike do të reflektojnë me humbje të mëdha në biznesin e tij. “Nëse kjo do të ndodhë, do të jetë katastrofë për ne, do të jetë humbje. Nëse, vërtet, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, do të jetë ndoshta edhe fundi i biznesit tonë”, thotë Kosumi.

Pas aksidentit që ndodhi në Termocentralin “Kosova A”, një njësi (A3) tashmë është aktivizuar dhe është duke prodhuar, ndërsa në dy njësitë tjera aktive të termocentralit “Kosova A” ( A4 dhe A5) janë jashtë funksionit, ku është duke u bërë riparimi kapital i tyre.

Këto dy njësi nuk do të arrihet të fillojnë operimin deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kosumi, tregon se kanë investuar mjaft shumë në biznesin e tyre. Për shkak të reduktimet të shpeshta të energjisë elektrike, ata janë të pajisur edhe me gjenerator 400 kilovat, por gjeneratorët, siç thotë ai, nuk e zëvendësojnë energjinë dhe, po ashtu, kanë kosto të lartë.

“Asnjë pajisje bashkëkohore që ne e kemi montuar, nuk punon me gjenerator, as nuk guxon të startosh me to, e sa për kosto dihet më sa është kostoja nëse shfrytëzon gjeneratorin”, shprehet Kosumi.

Pasiguria në furnizimin me energji do të jetë një problem mjaft i madh edhe për ndërmarrjen “Frutex” nga Suhareka, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike. Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi thotë se pengesë kronike, e cila po e përcjell biznesin, është problemi me energji elektrike.

“Ky problem gjatë muajve të fundit është rritur dhe kjo natyrisht se do ta rrisë koston e produkteve tona finale”, deklaroi ai.

Ndryshe, në Kosovën e pasluftës, investimet më të mëdha janë bërë në termocentralet e Kosovës, por asnjëherë kriza me furnizimin me energji elektrike nuk është tejkaluar. Aktualisht në Kosovë janë duke u prodhuar 400 megavat energji elektrike, 200 MGW po importohen.

Gjatë muajve të dimrit shpenzimet e energjisë mund të shkojnë rreth 1000 megavat orë energji elektrike.