Sport

Reagon Xhaka: Nuk largohem asnjëherë nga Kombëtarja

"Unë asnjëherë nuk kam thënë se do të largohem nga Kombëtarja. Kam qenë dhe do të jem përgjithmonë një Kuqezi me zemër”, thotë Xhaka

Mesfushori shqiptar Taulant Xhaka ka reaguar pas raportimeve të fundit se ai ka refuzuar të kthehet te kombëtarja shqiptare.

Anëtari i Baselit ka thënë se asnjëherë nuk do të largohet nga kuqezinjtë dhe se do të kthehet te kombëtarja, menjëherë pas dy ndeshjeve të radhës. “Kohët e fundit janë shkruar shumë gjëra të pavërteta dhe të fryra në media. Unë asnjëherë nuk kam thënë se do të largohem nga Kombëtarja. Kam qenë dhe do të jem përgjithmonë një Kuqezi me zemër”, thotë Xhaka.

Sa i përket ngjarjes së fundit, futbollisti i përfaqësueses shqiptare e konsideron një keqkuptim që tashmë ka kaluar. Ditë më parë u raportua se Xhaka nuk i doli në takim përzgjedhësit të ri, Christian Panucci, i cili edhe e la jashtë skuadrës për ndeshjet me Lihtenshtajnin dhe Maqedoninë.

“Dua t’i uroj trajnerit të ri Christian Panucci suksese në këto dy ndeshje të radhës. Do ta ndjek si gjithmonë që nga sekonda e parë ndeshjen e përfaqësueses sonë. Vërtetë nuk do të mundem të jem në këto dy ndeshje, por me shpirt dhe me zemër mbetem gjithmonë brenda kësaj kombëtareje. Pres me padurim që t’i rikthehem skuadrës”, ka deklaruar më tej ai për “Top-Channel”, përcjell albinfo.ch.

Rikthimin e paqes mes Xhakës dhe Panuccit e ka bërë të ditur edhe trajneri në konferencën për shtyp në fillim të këtij grumbullimi, i cili publikisht ka deklaruar se kjo është një çështje e kaluar dhe se Taulant Xhaka është një lojtar i planeve të tij për ndeshjet e ardhshme.