Futboll
Reagime të shumta pas pyetjes “a është Zvicra mjaftueshëm shqiptare?”
Nuk ka kaluar pa reagime pyetja që selektorit të Zvicrës, Murat Yakin, iu bë të premten paradite në konferencë për shtyp, përcjell albinfo.ch.
Një punëtor i formatit “Studio 404” i transmetuesit zviceran SRF, e pyeti Yakini nëse “përfaqësuesja e Zvicrës është mjaftueshëm shqiptare?”
Pas momenteve të heshtjes jokomode, Yakin disi në shaka tha se shqipja së shpejti do të jetë gjuha e pestë zyrtare në Zvicër. Më pas u përgjigj me diplomaci.
“Unë nuk bëj dallime. Jam rritur me kombe të ndryshme edhe vetë, kjo është gjenerata aktuale. Kemi lojtarë të mirë që vijnë nga Shqipëria apo Kosova dhe unë kam përjetuar gjithnjë kultura të ndryshme gjatë karrierës si trajner”, tha Yakin.
Pyetjen e bëri Jozo Brica, që sipas “20min.ch” është humorist dhe prezantuar në formatin “Studio 404”.
Nga transmetuesi zviceran, SRF, janë deklaruar Brica dhe Matthias Puentener, producent në Departamentin e argëtimit.
“’Studio 404’ është format i humorit dhe satirës që nuk e merr veten apo të tjerët shumë seriozisht. Është një mjet tipik stilistik i kolektivit për të bërë satirë me aktorët dhe ngjarjet e brendshme dhe të jashtme. Qëllimi ynë asnjëherë nuk është të ofendojmë të tjerët”, kanë thënë dy të punësuarit e SRF-së.
Granit Xhaka është kapiten i Zvicrës, ndërsa Xherdan Shaqiri është lojtari kryesor ofenziv. Dy shqiptarët kanë më së shumti paraqitje në histori të Zvicrës. Janë edhe prej yjeve më të mëdhenj të futbollit në histori të Zvicrës.
Në Euro 2024 do të jetë edhe Ardon Jashari. Në listën e gjerë ishin edhe Andi Zeqiri, Uran Bislimi e Albian Hajdari. Zvicra ka mbi një dekadë që është “mjaftueshëm shqiptare”.
Origjina e lojtarëve të Zvicrës shpesh bëhet temë. Dhe kryesisht qasja është negative. Por Xhaka e Shaqiri e kanë përballuar këtë pa asnjë problem. Madje në skenën më të madhe shpesh kanë dëshmuar krenarinë për rrënjët e tyre.
“Sidomos lojtarët me rrënjë shqiptare shpesh ishin në fokusin e kritikave në të kaluarën, nga mediat dhe nga një pjesë e popullsisë”, thonë dy punëtorët e SRF-së. Sipas asaj që kanë deklaruar ata, pyetja provokuese ndaj Yakinit kishte qëllim të mirë.
“’Studio 404’ e kthen këtë pyetje të përheshme për të nxjerr në pah cilësitë dhe arritjet e lojtarëve me prejardhje migruese, në mënyrë humoristike. Qëllimi ynë ishte të nxirrnim në pah aspektet pozitive dhe të njohim arritjet e këtyre lojtarëve. Ne donim të tregonim se vlerat e tjera janë shumë më të rëndësishme se e kaluara migruese, gjithnjë me sy dhe frymë humori”, thonë Puentener dhe Brica.
Pra televizioni zviceran e mori çështjen me goxha qetësi.
Se sa të rëndësishëm janë shqiptarët për Zvicrën pritet të dëshmohet sërish në “Euro 2024”.
Të tjera nga Futboll
E-Diaspora
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe Sot është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e Shqipërisë. 22 nëntori ka...
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
Jeta në Zvicër
-
Shitjet e birrës në Zvicër u zvogëluan nga moti i keq Prodhuesit e birrës kanë pasur vështirësi në Zvicër gjatë vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të...
-
Pse udhëtarët në Zvicër mund të paguajnë për kilometër në të ardhmen?
-
Nesër, mbyllja e stacioneve të trenit të Gjenevës
-
Zvicër: Dita e sotme shënon fillimin e javës së ‘Black Friday’
-
Zvicër: Aksident mes mjetit ushtarak dhe autobusit