Zhvillim

Rasti “Alba Air”- bashkatdhetarët u plaçkitën me gjysmë milioni euro, priten arrestime të tjera

Mashtrimet dhe vjedhjet permanente që po u bëhen bashkatdhetarëve nga agjencitë e fluturimeve që operojnë përmes aeroportit të Prishtinës, po vazhdojnë, bile gjatë muajve të verës me intensitet edhe më të shtuar. Një ditë më parë Policia e Kosovës raportoi se kishte arrestuar pronarin e agjencisë “Alba Air”, Shefki Rrahmanajn, për veprën penale mashtrim nga neni 335 i Kodit Penal.

Drejtori i Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës, Avdi Kamerolli, i kanë thënë televizionit KTV se nga ky mashtrim bashkatdhetarët janë dëmtuar në vlerë prej gjysmë milioni euro. Sipas Havollit, pronarët e agjencive që bartin kosovarët e diasporës për në vendlindje dhe anasjelltas, sezonin e pushimeve po e shfrytëzojnë për shitje të biletave me çmime astronomike.

Kamerolli ka paralajmëruar se organet shtetërore të Kosovës në bashkëpunim me autoritetet nga Zvicra dhe Gjermania shumë shpejt do t’i ndalojnë këto mashtrime. Por sipas tij për mashtrimin e fundit më shumë përgjegjësi duhet të mbajnë autoritet në Gjermani dhe Zvicër, pasi sipas tij, ky mashtrim ka ndodhur atje dhe jo në Kosovë. Ai ndërkaq ka thënë se ditëve të ardhshme pritet të ketë arrestime të tjera.

Në anën tjetër, Selatin Kaçaniku nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit,  ka thënë për KTV-në se faji për këto mashtrime e ka vetëm një adresë dhe ato janë institucionet e dobëta të Kosovës.

Siç kanë raportuar mediat agjencia “Alba Air”,  në bashkëpunim me “Dardania Airways” përmes mesazheve telefonike i kishte joshur bashkatdhetarët tanë duke iu ofruar aviobileta me çmime më të ulëta sesa çmimi në treg. Por, kur ka ardhur koha për të fluturuar drejt Kosovës, shumica e tyre me orë të tëra kanë mbetur nëpër aeroporte, ku janë detyruar edhe një herë që të blejnë aviobileta për të ardhur në vendlindje.