Lajme

Raportet e SHBA-së me shqiptarët mbeten të njëjta

Pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e kishte quajtur lajm të keq fitoren e mundshme të Trumph-it, diplomatët amerikanë thonë se raportet e SHBA-së me shqiptarët mbeten të njëjta

Fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ndikoj në raportet e Uashingtonit me shqiptarët. Kështu të paktën kanë deklaruar ambasadorët amerikanë në Tiranë e Prishtinë, edhe pse shumica e shqiptarëve kanë mbështetur Hillary Clinton-in për presidente, për shkak të ndikimit të madh që kishte bashkëshorti i saj Bill Clinton në çlirimin e Kosovës.

Por, më së keqi ka dalë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili para disa muajve kur ishte në SHBA doli hapur në mbështetje të kandidaturës së Clintonit. Madje ai e quajti lajm të keq fitoren e mundshme të Trump-it.

“Mos e dashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump-in për president”. Kështu ishte shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në televizionin amerikan CNN si dhe në Zonën e Debatit në “Klan Kosova”, në prill të këtij viti.

Rama kishte treguar se është lutur që kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mos zgjidhet në këtë post. Ai ka thënë se nëse ndodh që Trump-i të zgjidhet si i pari i SHBA-së, atëherë do të përkeqësoheshin marrëdhëniet diplomatike në mes të shqiptarëve dhe amerikanëve.

Mirëpo, Trumph i mposhti të gjithë, fillimisht republikanët tradicionalë në garën brenda partisë së tyre, e më pas edhe demokratët në zgjedhjet presidenciale. Trump do të jetë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe në shikim të parë duket një politikan kontrovers.
Megjithatë, marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë nuk do të kenë ndryshime, u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Sipas tij marrëdhëniet do të mbeten të ngushta dhe në administratën Trump.

“SHBA kanë zgjedhur presidentin e 45-të të SHBA, Donald Trump. Këto zgjedhje ishin një votë për ndryshim në SHBA. Por kjo nuk do të thotë ndryshim në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. SHBA dhe Shqipëria kanë pasur marrëdhënie të ngushta si përgjatë administratave republikane dhe atyre demokrate. Jam besimplotë që marrëdhëniet tona do të mbeten të ngushta në administratën Trump”, tha Lu.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Gregory Delawie, thotë raportet ndaj Kosovës nuk do të ndryshojnë pavarësisht fitores në SHBA. Ai ka thënë se kush do që fiton në SHBA, politika nuk duhet të ndryshon. Sipas tij, qëndrimi i SHBA-së, nuk do të ndryshon ndaj Kosovës duke thënë se Kosova ka pas gjithmonë përkrahje dhe do të vazhdon kështu.

Delawie ka thanë se marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës janë të shkëlqyera.