Muzikë

Ramë Lahaj, koncert në sheshin “Skenderbeu”

Mbrëmja e parë e muajit gusht në Prishtinë do të hapet me një koncert nga tenori i famshëm Ramë Lahaj, përcjell albinfo.ch.

Ky koncert, pritet të përmbyllë Ditët e diasporës në Prishtinë.

“Si gjithmonë muaji gusht në Prishtinë sjell ditë plot diell e mbrëmje të ngrohta. Bashkë me gushtin vijnë edhe bashkadhetarët tanë, të cilët qytetit të Prishtinës i japin energji, gëzim e hare. Këtë vit mbrëmja e parë e gushtit do të përmbyllë Ditët e diasporës në kryeqytet me koncertin e tenorit të famshëm shqiptar Ramë Lahaj. Bashkë me tenorin do të performojnë edhe miqtë e tij si dhe orkestra me muzikantë nga Prishtina e Tirana”, thuhet në njoftimin e MDIS-it.

Ndërsa tenori Lahaj i ka bërë thirrje publikut që të marrë pjesë në këtë koncert.

“Të dashur bashkatdhetarë, me kënaqësinë më të veçantë ju njoftoj se më 1 gusht 2019, në orën 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë do të mbajnë koncertin Ramë Lahaj & Friends. Ju ftoj të gjithëve, ju adhurues të muzikës serioze, por po ashtu edhe ju që keni qejf ta përjetoni si përvojën e parë, të vini ta shijojmë të gjithë së bashku. Koncerti do të jetë i hapur për të gjithë! I juaji,
Ramë Lahaj”, ka shkruar ai në Facebook.

Ky koncert është pjesë e aktiviteteve “Ditët e diasporës në qytetin e Prishtinës”, si dhe organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport.