Shqipëria

Rama u kundërpërgjigjet akuzave të Berishës për vrasjen e shoferit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u është përgjigjur nga Korça pretendimeve të ish-kryeministrit Berisha, se pas vrasjes së shoferit të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që ndodhi një ditë më parë, qëndrojnë larje hesapesh nga klanet mafioze.

Rama i quajti akuzat e opozitës fantazi makabre për të goditur Xhafajn. “E përfshin gardistin në një skenë fantazie. U gjendëm nën rrebeshin e zi të sulmeve politike për të njëjtat arsye që kanë dominuar politikën tonë, pa dashur fare t’ia dijë për respekt, për të vërtetën jo e jo, por as për një familje të thjeshtë në një moment dhimbjeje.

Versioni brutal i djalit të ndarë nga jeta, përfshirja e tij në skenarë fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshëm, për të goditur Qeverinë, nuk ka fjalë për t’u komentuar. Është i neveritshëm, i turpshëm, është një tjetër shembull i një vështirësie që gjendet hapësira e debatit politik, që na shoqëroi edhe marrja e datës për hapjen e negociatave”, ka thënë Rama, përcjell albinfo.ch.