Kosova

Rama takohet me Thaçin në presidencë

Pas takimeve maratonike me drejtuesit e institucioneve të Kosovës dhe drejtuesit e partive politike, kryeministri shqiptar, Edi Rama është takuar dhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Më herët gjatë ditës, Rama ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se qëndron në Kosovë për të biseduar rreth aktakuzës për krime lufte që ka paraqitur Zyra e Prokurorit Special kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve.

Ende nuk është bërë e ditur kush përfshihet në mesin e të tjerëve.

“Në Prishtinë, për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka thënë Rama në Twitter.

Rama është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, kryeministrin Abdullah Hotin, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Gjatë takimit të Ramës me Hotin, ky i fundit është cituar të ketë thënë se Kosova ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat teksa u është referuar zhvillimeve të fundit politike.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve” është cituar të ketë thënë ai.

Rama në anën tjetër ka përsëritur ndihmën e Shqipërisë për Kosovën në të gjitha proceset, derisa ka ftuar kryeministrin Hoti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, që pritet të realizohet më 3 korrik.